Komisioni Evropian ka nënshkruar deri më sot disa kontrata paraprake për sigurimin e vaksinave që janë në faza zhvillimi dhe testimi kundër virusit COVID-19 nga disa kompani të ndryshme, por këto kontrata për momentin mbulojnë vetëm vendet e Bashkimit Evropian dhe nuk dihet ende nëse vendet e Ballkanit do të përfitojnë apo jo, njofton Euronews.al.

I pyetur nëse Komisioni Evropian është në bisedime me vendet e Ballkanit për dhurimin e këtyre vaksinave, nëse ato do të jenë efikase dhe do të hyjnë në treg, apo nëse i është këshilluar këtyre vendeve që të bëjnë përpjekje vetjake për sigurimin e tyre, zëdhënësi i Komisionit Tim McPhie u përgjigj se nuk është në dijeni të bisedimeve të tilla me gjashtë vendet e rajonit.

“Aktualisht nuk kam asnjë informacion të veçantë për kontakte me asnjë prej atyre vendeve. Ajo që mund t’ju them është se kontratat që kemi nënshkruar do të mundësojnë sigurimin e vaksinave për të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe për dhurimet ndaj vendeve më të ardhura të ulëta apo të mesme, apo ridrejtimin e vaksinave ndaj vendeve të tjera evropiane.

Por e përsëris se nuk kam më shumë detaje për ndonjë bisedë të veçantë me gjashtë vendet që ju përmendët, por do të shoh dhe do t’ju përgjigjem nëse do të ketë diçka më shumë”, u shpreh Tim McPhie, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian ka bërë përpjekje për bashkë-financimin për kërkimin dhe zhvillimin e disa vaksinave kundër Covid-19, si dhe ka nënshkruar kontrata paraprake për sigurimin e tyre, nëse këto vaksina do të konsiderohen të pranueshme nga organizatat përkatëse që merren me miratimin e tyre.

Ndërsa nuk dihet ende nëse dhurimi i tyre për vende të tjera me të ardhura të ulëta apo të mesme jashtë vendeve anëtare të BE-së apo për vende të tjera evropiane do të përfshijë dhe vendet e rajonit.

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama deklaroi se nga ana e autoriteteve shëndetësore në Shqipëri është bërë një rezervim për vaksinën e COVID-19 kur ajo të dalë.

“Kemi bërë një rezervim për vaksinën e COVID-19 kur të dalë. Pa llogaritur kompetentët e “Facebook”, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur,” theksoi Rama.

Euronews Albania pyeti zyrën e shtypit të Kryeministrisë lidhur me detajet e vaksinës së rezervuar anti-COVID të cilës kryeministri iu referua, për të mësuar më shumë rreth sasisë dhe origjinës së saj dhe ndërkohë pritet një përgjigje zyrtare.