Katër banja në Maqedoni “Banjat e Dibrës – Capa”, “Banja Banko”, “Banja e Katllanovës” dhe “Negorci” tërësisht janë të gatshme për qëndrim dhe shërbime cilësore për pensionistët e Maqedonisë, të cilët e kanë realizuar të drejtën e rekreimit klimatik në banjë.
“Grupi i parë prej mbi 800 pensionistë në banjat do të arrijë më 23 mars. Shpresojmë, si dhe në vitet në vijim se pensionistët të jenë të kënaqur nga qëndrimi dhe shërbimet. Të gjitha lokalitetet janë të rrethuara me bukuri të shkëlqyer natyrore, që gjithsesi kontribuon të kalohen ditë të bukura, për personat e moshës së tretë”, thotë Trim Qemali, kryetar i Grupacionit të banjave pranë Odës ekonomike dhe zëvendësdrejtor ekzekutiv i “Banjave të Dibrës – Capa”

Qemali e thekson vlerën e rekreimit klimatik në banjë jo vetëm për pensionistët, por edhe për vetë institucionet e banjave, përkatësisht zhvillimin e turizmit të banjave.
“Në dy lokalitetet tona, Kosovrasti dhe Banjishte, viteve të fundit qëndruan 8.400 pensionistë. Një pjesë e tyre për herë të parë, që me të vërtetë është shumë e rëndësishme për to si personalitete, por edhe shëndetin e tyre. Por në të njëjtën kohë edhe për ne mjetet e siguruara nga Qeveria janë shumë të rëndësishme, sepse i drejtojmë nga përmirësimi i kushteve në ato të përhershme, por edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja”, potencon Qemali.

Në suaza të këtij projekti, shteti pensionistëve u siguron gjashtë pansione të plota (bujtje me tre vakte në ditë), terapi në banjë, kontroll shëndetësor i obliguar dhe shpenzime të paguara për transport në vlerë të kartës kthyese të autobusit, si dhe shoqërues për personat për të cilët nevojitet. Për këtë qëllim në buxhetin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale për vitin 2018 janë siguruar mjete financiare në vlerë prej 35 milionë denarë, si dhe mjete për transport.

Në periudhën 2010-2017 këtë shërbim e kanë shfrytëzuar më shumë se 40 mijë pensionistë nga tërë shteti, ndërsa këtë vit duhet ta shfrytëzojnë mbi 4.800.
Këtë vit, shton ai, në “Banjat e Dibrës-Capa” do të qëndrojnë 1.267 pensionistë, më së shumti nga Manastiri ose 315, pastaj nga Shkupi 277, Tetova 214, Gostivari 149, Ohri 120, Struga 77, Kërçova 46, Dibra 38 dhe Resnja 31 pensionistë.