Bankat janë duke përllogaritur se sa do të rriten kamatat e kredive pas vendimit të Bankës Popullore për rritjen e normës së interesit në 0.25 për qind. Në varësi të politikës së vetë bankës, vendimet do të merren individualisht, thonë nga Asociacioni i Bankave. Normat e interesit mund të rriten për kreditë konsumatore, kartat kreditore, tejkalimi i lejuar dhe shërbimet e tjera bankare.

“Anëtarët tanë janë ende duke shqyrtuar opsionet për rregullimin e normave të interesit. Rrjedhimisht, rregullimet e normave të interesit mund të pritet të bëhen në përputhje me politikat e tyre të biznesit”, njoftojnë nga Asociacioni i Bankave.

Asociacioni iu bënë thirrje qytetarëve që t’i lexojnë marrëveshjet që i kanë lidhur me bankat. Nuk duhet të ketë rritje të interesit për ato kredi që kanë normë fikse interesi për një periudhë të caktuar kohore, në varësi të marrëveshjes.

“Është praktikë e zakonshme që ndryshimet e normave të interesit të mos zbatohen për normat fikse të interesit deri në periudhën e vlefshmërisë së marrëveshjes së kredisë dhe afatit të arritjes së depozitës”, thonë nga Asociacioni i Bankave.

Rritja e normës së interesit nga 1,25 në 1,5 është vendim i Bankës Popullore për të ngadalësuar normën e inflacionit. Si përgjigje e rritjes së çmimeve, Rezerva Federale e SHBA-së rriti normat e interesit në fillim të këtij muaji, por Banka Qendrore Evropiane nuk e ka marrë ende këtë vendim. Ekonomistët në vendin tonë e interpretojnë vendimin e Bankës Popullore si masë të butë, ndaj nuk përjashtohet një rritje e dytë e re, pasi në të njëjtën mënyrë do të veprojë edhe Banka Evropiane./Alsat.mk