Barcelona nuk e ndal serinë e fitoreve në La Liga, edhe pse luante në transfertë të vështirë, si ajo e “Anoetas” me Real Sociedadin. Madje fillimi i sfidës ishte katastrofik për katalanët, që deri 15 minuta para përfundimit të pjesës së parë kishin pësuar 2 gola, për të kthyer më pas gjithçka në favorin e tyre, me shifrat përfundimtare 2-4.

Barcelona u gjend shumë shpejt në disavantazh, pasi në të 9-ën William Jose u zhyt bukur me kokë duke e dërguar topin atje ku nuk mund ta arrinte Ter Stegen.

Sikur të mos mjaftonte ky finalizim, në minutën e 34-t, Juanmi, i ndihmuar edhe nga devijimi i një mbrojtësi, i dha avantazhin e dyfishtë Real Sociedadit.

Gjithsesi, Barcelona mundi të rikuperonte një gol në fund të pjesës së parë me Paulinhon, që, si gjithmonë, u gjend në kohën dhe vendin e duhur për të nxjerrë “blaugranat” nga situata.

Barcelona e nisi shumë mirë pjesën e dytë, me Luiz Suarez që, i shërbyer nga Messi, i dha trajektoren e duhur topit, duke lënë të palëvizur portierin për golin e 2-2.

Por Barcelona nuk hoqi dorë nga sulmet, derisa gjeti edhe golin e avantazhit po me Suarez në të 71-ën.

Qershia mbi tortë në këtë fitore me përmbysje të Barcelonës ishte goli magjik i Lionel Messit nga goditja e lirë, që e la të palëvizur portierin Rulli.

Pas këtij suksesi, diferenca e Barcelonës me Atleticon e Madridit shkon sërish 9 pikë.