Në një deklaratë të përbashkët për mediat me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kreu i PD Lulzim Basha vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në proceset demokratike dhe integruese të Shkupit.

Basha shprehu bindjen që “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë së shpejti krah për krah në rrugëtimin tonë të sigurt drejt BE-së”, ndërsa theksoi se Shqipëria ka një obligim moral, politik dhe kushtetues karshi shqiptarëve kudo që ata ndodhen.

“Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe të bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian të vendit, për sfidat aktuale që po kalojmë me menaxhimin e pandemisë si dhe për domosdoshmërinë për ta forcuar dhe thelluar këtë bashkëpunim në të ardhmen me qëllim mirëqenien, punësimin e qytetarëve si në Shqipëri dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të vazhduar së bashku rolin tonë si dy vend, si dy shtete të cilat kanë qenë krah për krah në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit NATO dhe me siguri së shpejti do të jenë krah për krah në rrugëtimin tonë të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Basha.

“Natyrisht shpreha qëndrimet e njohura të Partisë Demokratike në mbështetje të rolit të faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si një faktor stabiliteti, si një garantues i stabilitetit politik i proceseve demokratike, i disa prej proceseve shumë të rëndësishme si Marrëveshja e Prespës që i hapi rrugë më në fund anëtarësimit të plotë të fqinjit tonë lindor ne NATO.

Po kështu edhe në proceset e tjera politike që ka një të bëjnë me integrimin europian të vendit dhe dëshirën dhe vullnetin tonë për të parë realizimin e plotë dhe të gjithëansëhme të të gjitha masave dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit për sa i përket shqiptarëve të Maqedonisë padiskutim ky është një vokacion i përhershëm i Partisë Demokratike në opozitë dhe në qeveri dhe një interes madhor i bashkëpunimit midis dy vendeve tona sigurisht dhe një obligim moral, politk dhe kushtetues i Republikës së Shqipërisë për shqiptarët kudo ku jetojnë”, shtoi kreu i PD.

Ndërsa, ministri i Jashtëm Bujar Osmani theksoi se raportet tona ndërshtetërore kanë kaluar në nivelin e fqinjësisë së mirë.

“E falënderoj zotin Basha për këtë takim miqësor dhe konstruktiv. Është kjo vizita ime e parë zyrtare ne Republikën e Shqipërisë si ministër i Jashtëm. Ashtu siç theksova paraprakisht në takimin e sotëm raportet tona ndërshtetërore moti kanë kaluar nivelin e fqinjësisë së mirë, por janë shndërruar në një partneritet, në një miqësi të përhershme, një mbështetje të ndërsjellë të cilat i tejkalon kufijtë e komunikimit zyrtar, por ka një afërsi ndërmjet njerëzve në dy anët e kufirit, ndërmjet bizneseve, ndërmjet sektorit civil, por edhe natyrisht institucioneve dhe partive politike dhe krejt kjo në interes të thellimit të bashkëpunimit bilateral por edhe impaktit rajonal që ky bashkëpunim reflekton më tej dhe aspiratave tona euro-atlantike”, tha Osmani.