Mësimdhënësit që ligjërojnë lëndën e Gjeografisë nuk pajtohen me konceptin e ri të bashkimit të lëndëve mësimore Gjeografi-Histori. Ata shprehen se kjo që po ndodh është një shqetësim sepse një arsimtar të ligjërojë dy apo tre lëndë brenda një dite është e pakuptimtë. Sipas Amzi Rahmanit, arsimtar në shkollën e fshatit Grupçin, këta reforma të shpejta nuk mund të implementohen menjëherë, por nevojiten trajnime të kuadrit që në të ardhmen të përshtaten me sistemin e ri arsimor. “Kjo është për shqetësim për arsye se një arsimtarë të ligjëron kimi, biologji, histori, gjeografi është diçka absurde për mua sepse, unë ligjëroj një lëndë dhe është shumë e vështirë të punosh ashti si duhet, e ku mbet më një arsimtar të ligjërojë më shumë lëndë, kjo është e tepërt. Poashtu, pa u mbajtur trajnime, seminare që arsimtarët të përshtaten, tash këto vendime Ad Hok, janë të paarsyeshme”, thotë arsimtari Rahmani.

Sipas tij, një lëndë të ligjërohet është shumë rëndë, dhe jo më dy ose tre lëndë të ligjërohen nga një arsimtar. “Kjo është shqetësuese sepse arsimtari duhet të përgatitet shumë, por të ligjërojë më shumë lëndë brenda ditës është e paarritshme sepse edhe nuk do të mund të shpjegojë lëndën siç duhet, pra duhet të ligjërojë për një lëndë që nuk ka shumë njohuri”, thotë arsimtari Amzi Rahmani. Ai shton se reformat e vazhdueshme në arsim e kanë shkatërruar sistemin arsimor. Në të kaluarën arsimi ka qenë më cilësor se sa në kohën moderne, thotë arsimtari Rahmani. “Kam punuar shumë herët në arsim, që nga vitet e 80-ta e këndej. Ai arsim ka qenë shumë cilësor dhe kishte perspektivë. Në atë kohë kemi arritur të nxjerrim shumë kuadro cilësorë, por ka qenë e vështirë që të krijohet një kuadër. Tash shumë lehtë arrijnë të përfundojnë shkollimin,reformat e shumta e kanë lehtësuar procesin mësimor por nxënësit i kishim më të rregullt, më të përgatitur”, shprehet arsimtari i Gjeografisë, Amzi Rahmani.

Ditë më parë janë mbajtur protesta ku sindikata e pavarur e arsimit ka kundërshtuar bashkimin e shumë lëndëve në një lëndë. Protestuesit theksuan se me këtë do të shkelet integriteti profesional i mësimdhënësve si dhe do të ulet numri i vendeve të punës. (koha.mk)