Kabineti i kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka demantuar menjëherë një lajm që po qarkullon në portalet shqiptare i cili në fakt synon të prezanton një foto nga “zyra” e liderit të BDI Ali Ahmeti, të cilin e demanton ashpërisht partia e tij.

“Bashkimi Demokratik për Integrim me neveri reagon për ta demantuar lajmin tërësisht të rremë dhe tendencioz të portalit partiak Fol, fatkeqësisht të përcjellë symbyllazi edhe nga portalet Lajm, Express, Almakos dhe Ina, për një foto nga gjoja e zyrës së Kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti në të cilën paska ‘aparat për numërim të parave’.

Zyra në foto të cilin e ka zbuluar tellalli partiak opozitar gjendet në Gjilan dhe i përket pronarit të kompanisë së suksesshme kosovare ‘Vatani’, veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare dhe veteranit të UÇK-së, z. Ismet Sylejmani, dhe është realizuar gjatë vizitës që Kryetari Ahmeti i ka bërë kompanisë së bashkëluftëtarit dhe bashkëveprimtarit të tij në Gjilan.

Zyrën e Kryetarit Ahmeti e kanë vizituar të gjithë gazetarët dhe mediat, jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova, Shqipëria, vendet e rajonit, media botërore dhe është fotografuar me mijëra herë, por ja që syri i mprehur i byrekxhiut e paska vënë re një aparat të cilin nuk e kanë parë as edhe shumë figura të mëdha euroamerikane që e kanë vizituar z. Ahmeti në seli”, thonë për Indeks.mk nga kabineti i Ahmetit duke shtuar që nëse portalet nuk e tërheqin lajmin dhe të kërkojnë falje, do të pason edhe padia për shpifje dhe rrënim të autoritetit.