Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja Besa thonë se nuk pajtohen në tërësi me programin qeveritar të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë të Zoran Zaevit sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.

E pyetur nga Zhurnal.mk, BDI ritheksoi vetëm qëndrimin e shprehur të premten nga zëdhënësi i saj, Bujar Osmani, se kjo parti është e bindur se kushtetuta aktuale e lejon përdorimin e gjuhës shqipe në bankënotat e denarit, dhe uniformat e policisë dhe armatës së Maqedonisë.

“Mbetemi ne qëndrimin se nuk pajtohemi se bankënotat dhe uniformat dygjuhësore janë kundërkushtetuese”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga shërbimi për shtyp i BDI-së, të pyetur për alternativat kushtetuese dhe ligjore që do të duhej ndërmarrë për eliminimin e interpretimeve të ndryshme lidhur me dispozitat kushtetuese midis palës shqiptare dhe maqedonase.

Nga radhët e BDI së, megjithatë kanë refuzuar që të japin përgjigje nëse interpretimet e ndryshme rreth kushtetutës – aspektit të përdorimit të gjuhës shqipe – duhet të çojnë deri në ndryshime kushtetuese.

Në këtë pyetje nuk janë përgjigjur as nga radhët e Lëvizjes Besa. Edhe ky formacion politik shqiptar, i cili i premtoi Zoran Zaevit se do t’ia japë votat në parlament për të formuar qeverinë e re, ka refuzuar që të përgjigjet nëse duhet ndryshuar kushtetuta në mënyrë që ajo të përcaktojë saktësisht gjuhën shqipe të barabartë me atë maqedonase, dhe përfundimisht t’i heq dilemat, pikërisht tash kur rreth saj midis shqiptarëve dhe maqedonasve ka interpretime të kundërta.

Edhe Lëvizja BESA tha në një përgjigje për Zhurnal.mk se nuk pajtohet krejtësisht me ‘programin qeveritar të prezantuar nga kryetari i LSDM­së, Zoran Zaev­i të premten. Kjo parti tha se ky program është i mangët.

“Lëvizja BESA konsideron se programi të cilin e ka prezantuar dje LSDM-ja është një kornizë e cila duhet të mbindërtohet për të qenë gjithëpërfshirës edhe sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me shqiptarët si kombi i dytë më i madh në Maqedoni » thanë nga kjo lëvizje.

Por Besa ka refuzuar që në këto momente të futet në komentimin e “detajeve” të programit vetjak të kryeministrit në pritje, Zaevit.

Lëvizja Besa tha se “në këtë fazë do përmbahet nga komentimi i detajeve për këtë program të ofruar nga LSDM-ja, për arsye se edhe më tej nuk është zhbllokuar çështja e ndarjes së mandatit për kryetarin e LSDM-së, një proces i cili krijon mundësi për të hyrë në negociata për krijimin e qeverisë”, tha ky formacion politik për Zhurnal.mk, për të shtuar se kur Zaev ta marrë mandatin, atëherë Lëvizja Besa do t’i jap “vërejtjet dhe sugjerimet” e saj për të “prodhuar një program qeveritar sa më gjithëpërfshirës, gjithnjë me shpresë se kjo do të arrihet”.

Lëvizja Besa ndërkohë ritheksoi se ashtu sikur edhe partitë e tjera shqiptare, edhe ajo ka mospajtime me LSDM-në rreth përmbajtjes së kushtetutës, përkatësisht për dispozitat e saj rreth gjuhës shqipe.

“Me këtë rast ritheksojmë qëndrimin tonë se edhe më tej kemi dallime me LSDM-në kundrejt interpretimit të dispozitave kushtetuese për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe”, tha për Zhurnal.mk Lëvizja Besa.