Bashkimi Demokratik për Integrim, i është “kundërpërgjigjur” VMRO-DPMNE-së, pas deklaratës nga kjo parti se nuk do t’i pranojë kushtet për dygjuhësi dhe vazhdim të mandatit të Prokurorisë Speciale PSP.

“Përdorimi i gjuhës shqipe në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, të barabartë me gjuhën maqedonase, e bën shoqërinë më të fortë, më të bashkuar dhe më të qëndrueshme duke përmbyllur në këtë mënyrë obligimet normative nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit”, thuhet në kumtesën e BDI-së për mediat.

Sundimi i së drejtës, shtohet më tej, në vend është obligim i të gjitha partive politike dhe paraqet parakusht për vijim të rrugës Euro-Atlantike.

“Reformimi i sistemit gjyqësor, transparenca dhe rishqyrtimi i proceseve të kontestuara gjyqësore janë detyrim i domosdoshëm për ta rikthyer besimin e qytetarëve në sistem”, thuhet më tej në kumtesën e BDI-së.

Qysh nga fillimi i krizës politike në vend, ata thonë se, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar në përmbyllje transparente të procesit nëpërmjet të zbardhjes së tërësishme të skandalit të përgjimeve dhe bartjes së përgjegjësisë.

BDI, thuhet më tej, mbetet e përkushtuar për një shoqëri kohezive, të barabartë dhe të integruar në komunitetin euroatlantik dhe fton palët që mе përgjegjësi historike ti qasen proceseve mе të cilat po ballafaqohet vendi dhe rajoni duke vlerësuar në mënyrë racionale dhe jo të nxitur nga emocionet.