Unifikimi i teksteve shkollore e posaçërisht Abetares, për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut do të mbahet mend vetëm si një premtim i BDI-së. Pavarësisht se dikasterin e Arsimit vite me radhë e kanë drejtuar ministrat nga BDI-ja, Abetarja e njësuar kurë nuk u bë realitet. Përderisa në Maqedoninë e Veriut nuk lejohet përdorimi i saj tashmë përdoret në Kosovë, por edhe në Luginën e Preshevës, e cila gjendet në kuadër të Serbisë.

Profesori dhe veterani i Arsimit, Xheladin Murati thotë se bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik për jetësimin e projektit të tillë.

Përveç unifikimit të Abetares, BDI-ja tashmë disa herë është zotuar për korrigjimin e gabimeve gjuhësore dhe përmbajtjesore në librat shkollorë. Një premtim i tillë është parashikuar edhe në programin parazgjedhor 2020-24. Profesori Murati vlerëson se tashmë duhej të ishte kërkuar përgjegjësi ndaj gjithë atyre që toleruan gabimet e tilla.

Librat që tashmë sa vite kanë gabime të shumta drejtshkrimore dhe përmbajtjesore, madje në disa raste edhe skandaloze janë në lëndët: gjeografi, shoqëri, histori, shkenca të natyrës dhe në lëndën e artit muzikor.