Delegacioni i Bashkimit Europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut mirëpret dërgesën e 24,000 dozave të vaksinës Astra Zeneca COVID19 në Maqedoninë e Veriut. Kjo është e para në serinë e dërgesave të vaksinave përmes mekanizmit COVAX për të cilat Maqedonia e Veriut si vend vetëfinancues, ka paguar plotësisht.

Bashkimi Europian është një nga kontribuesit më të mëdhenj në këtë iniciativë globale dhe ne jemi të lumtur ta shohim atë në veprim duke shpërndarë vaksina efektive dhe të sigurta. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, duke vepruar së bashku si ‘Ekipi Europa’ kanë kontribuar mbi 2.2 miliardë euro në mekanizmin COVAX, përfshirë 1 miliard euro nga buxheti i BE-së. Ekipi Europa ka ofruar mbështetje të menjëhershme financiare dhe fuqi COVAX-it për të negociuar me kompanitë farmaceutike. Kjo disponueshmëri e menjëhershme e fondeve ka qenë thelbësore për të siguruar që vaksinat të mund të dorëzohen në vendet anëtare të COVAX-it sa më shpejt të jetë e mundur.

BE-ja ka demonstruar solidaritet me Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj që nga fillimi i pandemisë. Ajo ka mobilizuar më shumë se 220 milion EUR që mbulon sigurimin e furnizimeve dhe pajisjeve mjekësore, mbështetjen për grupet në nevojë, bizneset dhe të papunët, si dhe ndihmën makro-financiare. Kohët e fundit ajo ka vënë në dispozicion 70 milion € për blerjen e vaksinave dhe pajisjeve përkatëse për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Kjo vjen përveç ofertës përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve i krijuar për të mbështetur rimëkëmbjen afatgjatë të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në një vlerë deri në 9 miliardë €.