Një fatkeqësi ka ndodhur mbrëmë në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku është djegur plotësisht shtëpia e familjes sociale të Haki Bilallit. Sipas dëshmitarëve okularë, zjarri ka ndodhur mbrëm rreth orës 21 . Fatmirësisht dëmi i shkaktuar është material, kurse anëtarët e familjes kanë shpëtuar pa lëndime.

Fqinjët e tyre thonë se për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e rrymës, ekipet e EVN-së para një muaji e kanë shkyçur këtë familje nga rrjeti elektrik. Prej atëherë janë ndriçuar me dritë qiriu, sikurse në shekullin 15. Dhe pikërisht qiriu ka shkaktuar zjarrin e mbrëmshëm, që ka djegur tërë shtëpinë. “Janë ndriçuar me dritë qiriu, sepse EVN ua ndali rrymën para një muaji. Ndonjëri prej fëmijëve ka praptuar qiriun dhe është ndezur shtëpia e cila edhe ashtu ka qenë e vjetër”, thotë një fqinj i familjes, duke u ankuar se edhe ekipet e zjarrfikësve kanë arritur me vonesë.

Edhe pse pesë anëtarët e familjes kanë shpëtuar mrekullisht nga zjarri, megjithatë djegia e shtëpisë ua ka shkaktuar edhe një goditje të rëndë kësaj familje, që edhe ashtu ka jetuar në kushte të rënda sociale.

Për këtë arsye, apelohet deri te gjithë njerëzit humanë që kanë vullnet dhe mundësi për të ndihmuar të kontaktojnë kryefamiljarin në numrin 071 529 508.

Kjo familje edhe kohë më parë kishte dal për të kërkuar ndihmë në TV21, por përveç disa humanistëve të pakët, askush tjetër nuk kishte trokitur në dyert e tyre. Sot ajo vazhdon të jetojë në kushte të rënda. E më keq është fëmija i tyre Mesudi 6 vjeçar, i cili ankon nga këmba dhe se nëna e tij Alisja thotë se nuk kanë para për ta çuar për operacion. Për shkak të kushteve të këqija, ata disa herë kishin tentuar për të shkuar jashtë shtetit për azil, por edhe pasi që kanë shkuar, ato më pas janë deportuar. Me muaj qëndruan në një kamp në Belgjikë, me qëllim që të fitojnë nënshtetësinë dhe të kërkojnë shërim për djalin e tyre. Por në fund morën përgjigje negative dhe u kthyen në Kumanovë . Ata pos për ndihmë në sigurimin e ushqimit e gjerave të tjera, më së shumti kanë nevoje për një kulm mbi kokë. Dëshira e nënës Asije është që të operohet djalit i saj. Ajo lutet për ndihmë, për të gjitha ata që kanë mundësi.