Na pret një ndër dimrat më të vështirë të dekadave të fundit. Janë bërë të gjitha përgatitjet. Jemi nga fundi me furnizimin e sasive të duhura të mazutit dhe qymyrit me qëllim që të rritet prodhimin vendor i energjisë elektrike, deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ai në edicionin qendror në televizionin “Sitel” tha se do të vihet në funksion edhe blloku i tretë i TEC Manastir.

“Gjithë dimrin e kaluar e kaluam me dy blloqet në TEC Manastir dhe në periudha të caktuara ka punuar edhe blloku në Osllomej, ndërsa si zëvendësim e kemi kyçur TEC Negotinë, i cili nuk është kyçur që nga viti 2009, për të prodhuar energji elektrike. Sivjet në mënyrë shtesë do të vihet në funksion edhe blloku i tretë në TEC Manastir. Tashmë EMV, sipas të gjitha informacioneve, ka lidhur kontratë që të bëhet riparim i transformatorit, ndërsa në mënyrë plotësuese do të furnizojë edhe një transformator tjetër në rast që të mos përsëritet një avari e tillë”, theksoi Bekteshi.

U bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve të kursejnë energji elektrike me qëllim që të zvogëlohet barra mbi EMV-në dhe të kenë mundësi që tepricën e energjisë elektrike ta drejtojë në ekonomi. Në momentin kur do të shpallet gjendja e krizës, siç theksoi Bekteshi, mund t’u urdhërohet institucioneve të cilat janë në kompetencë të Qeverisë të kursejnë energji, ndërsa për qytetarët apelet e tilla do të jenë në formë të rekomandimeve.