Portieri shqiptar Etrit Berisha ka qenë deçiziv në ndeshjen e mbrëmshme të skuadrës së tij Atalanta përballë Beneventos, njofton Syri.net.

Në minutën e 40-të, portieri shqiptar bën një pritje jetike për Atalantën. Sulmuesi i skuadrës mike Samuel Armenteros, pas një krosi godet me kokë nga një distancë e afërt me portën. Berisha hidhet dhe arrin të presë, duke shpëtuar kështu rezultatin. Ky ishte edhe rasti më i mirë për Beneventon, që vijon pa pikë në kampionat.

Më pas, në minutën e 75-të, Bryan Cristante shënon për vendasit. Ky ishte gol i vetëm i takimit, që i dha skuadrës bergamase tre pikë të rëndësishme për luftën për zonën europiane.

Me këtë fitore, Atalanta renditet në vendin e 10-të, 7 pikë larg vendit të 5-të që të çon në “Europa League”.