Bilal Kasami i ndërpret negociatat me Kryeministrin Zaev për hyrjen në Qeveri. Nga partia e tij thonë se kuvendi qendror i partisë vendosi dje të qëndrojë në opozitë, sepse sipas tyre, qeveria e humb epitetin e qeverisë reformuese.

Me pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa do behej diferenca e një menaxhimi tjetërfare, gjë që si duket nuk është kuptuar nga kryeministri Zaev, i cili për fat të keq përmes opsionit të “blerjes” të kohës po mundohet që politikisht të harxhojë të gjitha palët që janë duke negociuar për kyçje në Qeveri. Ai në publik vepron ndryshe nga ajo që dakordohet në takimet e përbashkëta. Pasi që ky proces i negociatave po vazhdon më shumë se katër muaj pa një epilog konkret, vlerësojmë se tashmë janë tejkaluar të gjitha limitet kohore dhe duke mos dashur që Lëvizja Besa të mbetet peng i kalkulimeve teknike të shumicës parlamentare, duke nisur nga sot i ndërpresim të gjitha bisedimet me kryeministrin e vendit sa i takon kyçjes së Lëvizjes Besa në Qeverinë e Maqedonisë – thuhet në komunikatën e Lëvizjes Besa, krahu i Bilall Kasamit.

Nga krahu tjetër i Besës të udhëhequr nga Afrim Gashi, të cilët janë partnerë potencialë në Qeveri, këtyre ditëve presin edhe një takim tjetër me kryeministrin Zaev, ku do të përcaktohet definitivisht çfarë pozite do të merrnin në qeveri. Analisti Visar Ademi, i cili ishte dje në emisionin 360 Gradë, thotë se partitë më të vogla shqiptare, me dëshirën për t’u bërë pjesë e qeverisë, shkelin parimin e të qenit afër popullit.

Pjesë e negociatave për zgjerim të koalicionit qeveritar është PDSH-ja e Menduh Thaçit, por ato nuk ndajnë detaje nga negociatat. Njoftimi i zgjerimit të shumicës parlamentare erdhi pas zgjedhjeve lokale, kur Aleanca për shqiptarët e braktisi qeverinë. Kryeministri Zoran Zaev pret që deri në mes të majit të përfundojnë bisedimet, duke thënë se ai ka mbështetjen e partnerëve aktualë të koalicionit./Alsat-M/