Akademiku Abdylmenaf Bexheti i përshkroi si kataklizmë fiskale fjalët e kryeministrit Zoran Zaev se Maqedonia ka një miliardë euro borxh më shumë se sa është paraqitur në publik deri më tani. Bexheti për TV SHENJA tha se njohësit e politikave buxhetore dhe fiskale kanë pritur të ketë borxh publik më të madh se sa ai që është raportuar, por jo edhe në këto përmasa për të cilat foli kryeministri Zaev, duke shtuar se edhe borxhi i raportuar, është vlerësuar si i lartë për Maqedoninë.

“Ju e dini se të gjitha analizat dhe ekspertizat kanë shkuar andej se kemi thënë që Maqedonia mund të durojë maksimalisht 40-45 për qind të Produktit Bruto Vendor ngarkueshmëri me borxh publik. Ajo tani është 50 për qind. Nëse ndodh kjo atëherë nënkupton se kalon mbi 60 për qind. Pra është alarmante dhe nuk ka shanse që Maqedonia të konsolidohet në mënyrë fiskale aq më pak në përputhje me strategjinë fiskale 3-vjeçare e cila qeveria paraprake e ka miratuar”, ka deklaruar akademiku Abdylmenaf Bexheti.

Akademiku Bexheti shpreson që të mos jetë e vërtetë që borxhi real të jetë 6 miliardë euro. Në të kundërtën, ai shprehet se kjo shifër marramendëse do të na shkaktonte një turbulencë të madhe fiskale, e cila jo vetëm që do të bënte të pamundur përmbushjen e premtimeve, por do ta çonte Maqedoninë në një luftë për mbijetesë.

“Duke qenë kaq i futur thellë në borxh, nëse, e them përsëri, kjo është e vërtetë, atëherë sigurisht që do ta ketë jashtë mase vështirë Qeveria e re që në një mënyrë apo tjetër, jo të përmbushë paralajmërimet premtuese apo edhe optimistike, por të përmbushë mbijetesën”, shtoi ai.

Akademiku Abdylmenaf Bexheti thotë se borxhet e fshehta për të cilat foli kryeministri Zaev, që kapin vlerën e 1 miliardë eurove, në të shumtën e rasteve janë borxhe nga kontrata të paevidentuara. Sipas Bexhetit, këto borxhe na rrinë si shpata e Demokleut mbi qafë, pasi kompanitë në çdo kohë mund të marrin iniciativën për arkëtim gjyqësor të parave, bile edhe me kamatë dhe shpenzime shtesë.