Apel i bazuar në udhëzimet ligjore

Për hir të mbrojtjes së besimtarëve dhe konsumatorëve të mishit të Kurbanit, në prag të festës së madhe Islame të Kurban Bajramit, Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, u bën apel të gjithë punonjësve të vet, imamëve të xhamive si dhe besimtarëve të cilët kanë bë nijet për të pre Kurban në emër të Allahut të Madhërishëm, që të kenë kujdes dhe tu përmbahen rregullave dhe ligjeve përkatëse që garantojnë sigurinë e shëndetit të konsumatorit.

Për shkak të rritjes të temperaturave atmosferike, Agjencioni për Ushqim dhe Veterinari ka ngritur alarmin e rrezikut nga sëmundje të mundshme të cilat mund të shfaqen në rast se neglizhohen udhëzimet ligjore dhe rregullativën për therjen e kafshëve dhe konsumimin e tyre.

BFI përkrah fortë çdo tendencë e cila është në shërbim të shëndetit të besimtarëve dhe konsumatorëve të mishit të Kurbanit, duke u bazuar në frymën e traditës dhe zbatimit të rregullave që kanë për qëllim që të parandalojnë sëmundje apo katastrofa të mundshme, andaj në konsultim me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, lëshon këtë apel me udhëzime ligjore:

Bashkësia Fetare Islame, bën grumbullimin e kurbaneve për nevojat e Medresesë Isa Beu dhe të njëjtët i ther dhe procesion në dy thertoret më moderne në vend. Grumbullimi i kafshëve bëhet në mënyrë strikte, me kafshë të regjistruara dhe kontrolluara paraprakisht nga veterinarë. Tërë procesin e therjes e ndjek nga afër komisioni i ngritur enkas për këtë qëllim, i përbërë nga teologë dhe veterinarë, ku teologët garantojnë se kafshët janë trajtuar sipas të gjithave normave fetare, ndërsa veterinarët garantojnë për shëndetin e kafshëve. Transporti i mishit nga thertorja deri në pikat e shpërndarjes bëhet me frigoriferë, ndërsa shpërndarja e mishit që i tejkalon nevojat e Medresesë bëhet nëpërmjet formave të organizuara, ku u ndahet: personave me nevoja, jetimëve, shoqatave të personave me nevoja të posaçme, shoqatave humanitare, e tjerë.

Për fat të keq, në prag të festës së Kurban Bajramit, mbijnë tregjet e egra të kafshëve, vend e pa vend, ku tregtohen edhe kafshë të pa regjistruara dhe pa asnjë etiketë në vesh.

Shitja e kafshëve në vende të paautorizuara për shitje është e ndaluar me ligj.

Shitja e kafshëve pa etiketë është e ndaluar ligjërisht. Andaj besimtarët nuk duhet të blejnë kafshë që nuk janë kontrolluar dhe nuk kanë certifikatë regjistrimi (etiketë në vesh).

Gjithashtu, konsumimi i kafshëve të pa etiketuar dhe kontrolluar paraprakisht nga veterinarë, është i ndaluar sepse shton rrezikun e përhapjes të sëmundjeve të ndryshme.

Edhe therja e pa kontrolluar në masë dhe në kushte joadekuate përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve, andaj e tilla është e ndaluar me ligj.

BFI apelon deri tek gjithë imamët e xhamive dhe punonjësve fetarë, që ti udhëzojnë besimtarët në përmbajtjen dhe zbatimin e rregullave dhe ligjeve përkatëse që garantojnë sigurinë e shëndetit të konsumatorit.

Në të njëjtën kohë, apelojmë edhe personat që do të bëjnë prerjen e kurbanave nëpër shtëpitë e tyre dhe lëkurën do t’ia dedikojnë Medresesë Isa Beu, që lëkurat nëse nuk dorëzohen menjëherë në pikat e grumbullimit, ato të kripësohen, me qëllim që të parandalojnë kalbjen si rezultat i temperaturave të larta.

Të nderuar besimtarë, tek Allahu Fuqiplotë, nuk arrin as mishi e as lëkura e kurbanit, por vetëm devotshmëria juaj. Andaj Lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm që ta pranojë kurbanin tuaj duke ju kujtuar se Muslimani e ka për përgjegjësi zbatimin e udhëzimeve fetare, siç është ndër to edhe prerja e Kurbanit në emër të Allahut, por njëkohësisht e ka për detyre të kujdeset edhe për shëndetin e të afërmve dhe fqinjëve të tij.