Presidenti Joe Biden do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s.
Kështu së paku ka bërë të ditur misioni i SHBA-së në NATO teksa ka konfirmuar se i pari i shtetit amerikan do të arrij në kontinentin evropian gjatë javës së ardhshme.
“Presidenti amerikan Joe Biden do të udhëtojë drejt Brukselit javën e ardhshme për një samit të jashtëzakonshëm të aleancës së NATO-s”, shkroi misioni i SHBA-së në NATO në Twitter.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thirrur një samit të jashtëzakonshëm për 24 mars në Bruksel shkaku i agresionit rus në Ukrainë.
Në Twitter, Stoltenberg tha se liderët “do të trajtojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, mbështetjen tonë të fortë për Ukrainën dhe forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s”.