Kandidati për president të SHBA-ve nga radhët e Demokratëve, Joe Biden, ka deklaruar se nuk do të duhej të zhvillohej debati i dytë derisa kundërkandidati, presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump është ende pozitiv me COVID-19, shkruan CNN.

“Mendoj se nëse ende është i infektuar me COVID-19, nuk do të duhej ta zhvillonim debatin”, ka deklaruar Biden para gazetarëve, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se i gëzohet debatit të dytë, por pranoi se duhet ndjekur këshillat e ekspertëve të shëndetësisë.

Biden tha se nuk e di statusin e Trumpit sa i përket COVID-19, që kur ai u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pasi i kaloi tri ditë në spitalin ushtarak Walter Reed.

E në anën tjetër, testi i Biden ka dëshmuar se ai ka rezultuar negativ, kanë bërë të ditur zyrtarë të kampit të tij zgjedhor.

Kujtojmë që debati i radhës mes Trump dhe Biden planifikohet të mbahet më 15 tetor, por se a do të mbahet mbetet të shihet.