Rënia e numrit të vetëvrasjeve dhe rritja e rasteve të tentimeve për t’i dhënë fund jetës përmes medikamenteve, detergjenteve, ka të bëjë me mënyrën se si këta persona janë edukuar në fëmijëri. Kështu thonë psikologët, të cilët nënvizojnë se edukimi është bazë që një person të ndërtojë personalitetin e tij në të ardhmen.

“Prindërit duhet që të jenë shumë të kujdesshëm se si i edukojnë fëmijët e tyre që në hapat e parë, pra që në momentet e fëmijërisë së hershme. Është shumë e rëndësishme përkëdhelja, është shumë e rëndësishme vënia e rregullave, dënimeve në kohën e hershme, po ashtu higjiena personale, mënyra se si flet, si komunikon me fëmijën. Krejt këto ndikojnë në krijimin e personalitetit të shëndoshë të fëmijës, po që se nuk ndodh kjo pastaj në fazën e pubertetit, fillojnë që të manifestohen shenjat e para të devijimeve, të cilat te personat që kanë vetëbesim të ulët që është një moment shumë i rëndësishëm një element kyç në zhvillimin e personalitetit, këto që kanë besim të ulët, pastaj marrin atë guximin të ngrenë dorë mbi veten në mënyra të ndryshme”, thotë për KOHA, psikologia Nora Kasa.

Por, një problem tjetër është se këta persona vuajnë nga vëmendja. “Kjo që është më tepër me tableta ose me konsumim të detergjenteve të ndryshme, ka të bëjë më tepër me atë që këta persona vuajnë më tepër për vëmendje, domethënë ndjehen të izoluar, ndjehen të tërhequr, ndjehen si një hije e cila është prezent në shtëpi, në rrethin ku jetojnë, në shkollë, kudo qofshin ato, por askush nuk e dëgjon zërin e tyre dhe pikërisht kjo i detyron ata që të bëjnë një akt të këtillë, që të gjithë pastaj të kthejnë kokën, të kthejnë shikimin te ato”, thotë Kasa.

Sipas gjinisë, më shumë janë femrat që kanë tentuar të vetëvriten, gjithsej 13, si pasojë e mosmarrëveshjeve brenda familjare, dashurisë, sëmundje të ndryshme e kështu me radhë.

“Nuk kam një statistike të këtillë, por do të nisem nga parametrat e tjerë. Gjithmonë si gjini njihet se është gjinia më e butë dhe ndoshta ndikon vetëbesimi. Janë me vetëbesim më të ulët dhe problemet, veçanërisht humbjet e dashurive, i marrin si tragjike dhe më shumë dinë që të bëjnë drama emocionale dhe pikërisht kjo është ajo që i detyron të tërheqin vëmendje. Ballafaqimin me stresin djemtë më shumë e shprehin me aktivitete fizike , me energji negative, me rrahje fizike me dhunë ndaj njëri tjetrit, ndërsa femrat janë ato të cilat më tepër e akumulojnë energjinë në vete dhe kjo pastaj i shtyn ata që në një farë mënyre krejtësisht të devijojnë”, thotë psikologia Nora Kasa. Ajo nënvizon se edhe pse ekziston institucioni i quajtur psikolog, megjithatë qytetarët shumë pak drejtohen për ndihmë, ose kërkojnë ndihmën në fazat e vonshme të manifestimeve të devijimeve tek personi. Krahasuar me vitin e kaluar, dukshëm ka rënë numri i vetëvrasjeve dhe tentimeve për vetëvrasje në rajonin e Pollogut.

Sipas policisë, në rajonin e Gostivarit gjatë 10 muajve të kaluar janë regjistruar tre vetëvrasje. Në këtë periudhë po ashtu janë regjistruar 23 tentime për vetëvrasje, 22 tentime për helmim dhe një tentim për varje.