Me 50 vota “për” është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviq. Mocioni ishte iniciuar nga partia e Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë u kërkua nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak, siç thonë ata, të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.

Seanca e cila nisi paraditen e sotme, ka përfunduar në orët e vona, ku kishte debat në mes deputetëve të pozitës dhe iniciuesit e mocionit të mosbesimit të drejtuar nga deputetët e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Millo Gjukanoviq, mbështetur nga pesë parti.

Abazoviq në seancën e Kuvendit ka thënë se gjatë 100 ditëve të punës së tij, janë bërë shumë punë për të cilat koha do të tregojë.