Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sonte i ftuar në emisionin Click Plus në TV21 sqaroi për opinionin se çfarë po ndodhë brenda kësaj partie.

I pyetur se përse nuk veproi ashtu siç premtoi, pra të dorëhiqet nëse nuk i fiton zgjedhjet, Kasami përgjigjet se ka vepruar më mirë se kaq, duke kërkuar organizimin e kongresit të parë të kësaj partie politike.

Sipas tij, kongresi ndihmon në riformatimin e partisë politike, pasi që ka patur edhe prurje të reja brenda kësaj partie politike.

Kasami bëri të ditur se organet e partisë, vendosën organizimin e kongresit për të përmirësuar gabimet e bëra në këto tre vite dhe për të ofruar njerëz ende të ri, përfshi tërheqjen e atyre që dështuan, duke u nisur edhe nga kryetari i partisë politike.

Bilall Kasami bën të ditur se ka patur debate të brendshme në Lëvizjen Besa që i kam parë normale dhe politike, por është e papranueshme që debatet të dalin në publik. Përmes debatit duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe këtë e kam zbatuar në Lëvizjen Besa duke qenë në komunikim me të gjitha palët, e kënaqura apo të pakënaqura për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet brenda oborit të kësaj partie politike.

Të gjithë ata që dëshirojnë t’i zgjidhin problemet, atëherë sipas Bilall Kasamit, dyert i kanë të hapura që të ofrojnë kontributin e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Kasami konfirmon se brenda partisë ka garë për të marrë kreun e Lëvizjes Besa, kurse ata që tentuan ta shkarkojnë, sipas tij janë individë që kanë pretendime për të marrë kreun e partisë.

Kasami kërkon garë demokratike për të zgjidhur çështjet dhe të forcohet Besa shumë më shumë, në aspekt programor dhe kadrovik.

Në debatin në TV21, Bilall Kasami nuk përmend emra konkret kundërshtarësh, ndërkaq grupimin tjetër e konsideron si pjesë të partisë, por shprehet se kundërshtarët nuk duhet të shpallen armiq të Lëvizjes Besa. Sipas tij, pala tjetër është duke e dëmtuar partinë dhe se nuk u është hakmarrë askujt për veprimet brenda partisë, duke mbajtur mbledhje jashtëstatutore.

Kasami thotë se u ka kërkuar llogari këtyre personave pasi që kanë thirrë mbledhje që nuk e kanë të drejtë sipas statutit partiak dhe kanë manipuluar edhe njerëz tjerë. Gjithnjë, Bilall Kasami nuk përmend emra në debatin që po zhvillohet.

Kryetari i Besës mohon që grupi tjetër është më shumë se sa që është raportuar në media. Ai thotë se legjitimiteti i tij nuk është vënë në pikëpyetje, e as i vendimeve që janë marrë në mbledhjen e këshillit qendror të mbajtur në Tetovë, ku është vendosur që ai të drejtojë partinë deri në kongresin e partisë, të caktuar për në shkurt të këtij viti.

Bilall Kasami vlerëson punën e personave që kanë dalur kundër tij dhe i thërret që të tërhiqen dhe të kthehen në parti.