Gjithë udhëtarët të cilët kanë rezervime për të udhëtuar nga aeroporti i Shkupit, më datat shtatë, tetë dhe nëntë gusht, në aeroport duhet të arrijnë tre deri katër orë para kohës së fluturimit.

Siç informojnë nga TAV Maqedoni, kjo është për shkak të masave shtesë të sigurisë të cilat do të ndërmerren me rastin e ndeshjes së “UEFA Super Cup” e cila do të luhet në Shkup, në stadiumin “Telekom Arena”.

Gjatë këtyre ditëve pritet fluks i madh i tifozëve të futbollit dhe turistëve që të vizitojnë qytetin e Shkupit.

Me rastin e kësaj finaleje dje janë shpërndarë SMS tek disa tifozë të huaj të cilët janë paralajmëruar për mundësinë e sulmeve terroriste.

Rezervimet  për bujtje gjatë natës kur do të luhet Super Kupa e UEFA janë anuluar për shkak të dyshimeve se mund të ketë sulme terroriste në Shkup, shkruan Plusinfo.

Sipas Plusinfo, një gjë të tillë e thonë një pjesë e grupeve të tifozëve. Poashtu sipas të njëjtit portal, një gjë e tillë, prej disa ditësh po qarkullon edhe në rrjetet sociale.

Ky portal, thotë se deri tek ky informacion ka ardhur, nga ana e disa tifozëve, të cilëve u ka ardhë një mesazh i tillë nga ana e tifozëvetë huaj, të cilët kanë bërë rezervime te mëhershme nëpër hotelet e kryeqytetit.

Në fotografinë në fund të tekstit mund të shihet një mesazh në gjuhën angleze, të cilin e ka marrë një tifoz i huaj nga një hotel në Shkup, kurse pastaj e ka dërguar deri tek tifozët maqedonas të Manchestar United.

“Ne jemi të detyruar nga ana e Qeverisë për të ju informuar si mysafir i yni se janë marrë kërcënime për sulm të mundshëm terrorist më 7 dhe 8 gusht”, shkruan në fillim të mesazhit.

Nga Qeveria e mohojnë një gjë të tillë, si dhe për atë se kanë kërkuar nga hotelet që t’ua dërgojnë mesazhet e tilla.

Tifozët e Manchestar United pretendojnë se kjo është vetëm një mashtrim i hotelierëve, për t’i tërhequr me herët rezervimet, sepse më vonë të njëjët hotele kanë ofruar strehim me shuma me të larta.