Qeveria hodhi poshtë zërat se po negocion me PDSH-në dhe Lëvizjen Besa për koalicion qeveritar. Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski tha se nuk ka negociata të këtij niveli as me PDSH-në e as me Besën.

Do ta citoj kryeministrin, që tha se me PDSH-në nuk ka negociata. Nuk ka negociata në atë nivel as me Besën -deklaroi Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Derisa nuk ka ndonjë takim publik me PDSH-në dhe as ndonjë qëndrim nga vetë PDSH-ja që do të sqaronte zërat, dyshimet për koalicionimin me Besën gjithsesi u rritën pas takimit të mbrëmshëm të kryeministrit me kreun e deritanishëm të kësaj partie opozitare. Megjithëse zëdhënësi i Qeverisë hodhi poshtë mundësinë që pos reformave të jetë biseduar për koalicionim të mundshëm, përgjigjja e Kasamit pas takimit të mbrëmshëm nuk ishte e prerë.

Lëvizja Besa nuk kalkulon a do të jetë pjesë e Qeverisë apo jo. Për Lëvizjen Besa me rëndësi janë proceset reformuese sesa të jetë pjesë e Qeverisë. Dhe në këtë drejtim, e kemi treguar edhe në të kaluarën se kemi përkrahur të gjitha vendimet e Qeverisë dhe të Parlamentit të cilat janë në këtë vijë – pati deklaruar Bilall Kasami, Lëvizja Besa.

Dyshimet për zgjerimin e mundshëm të koalicionit qeveritar të dyshes LSDM-BDI i shton fakti se akoma mbetet bosh pozita e ministrit pa resor që më parë i takonte Ramiz Merkos, ndonëse nga BDI-ja për Alsat thanë se kjo ministri do të vazhdojë t‘i mbetet kësaj partie dhe se për këtë çështje po vazhdojnë konsultimet brenda-partiake. Ndërsa Boshnjakovski tha se në Qeveri akoma nuk është diskutuar për këtë çështje. Madje sipas tij, në Qeveria nuk është diskutuar as për Ministrinë për reforma që i ishte ofruar Aleancës në këmbim të Shëndetësisë dhe nuk dihet nëse ajo do të krijohet ose jo. Zëdhënësi nuk ka përgjigje se kur do të emërohen drejtorët e institucioneve që mbetën bosh pas daljes së Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria dhe kuadro të cilës parti dot ë udhëheqin me to. Akoma nuk dihet se kur do të emërohen drejtorët e Entit për Revizion, Drejtorisë për energjetikë, Fondit të sigurimit pensionalo-invalidor, Burgut të Idrizovës, Byros për Zhvillimin e Arsimit. Vakante mbetet edhe pozita e Avokatit të shtetit dhe zëdhënësit paralel të Qeverisë, që poashtu i takonin Aleancës për Shqiptarët. Gjithsesi mbrëmë Qeveria emëroi disa drejtorë.

Mbrëmë u emërua Drejtori i Inspektoratit për pylltari dhe gjueti, Ejup Jahja; Drejtori i Inspektoratit Shtetëror për vetëqeverisje lokale, Sead Sadukovski dhe Drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Stojko Paunovski. Në periudhën e ardhshme kur do të kemi vendime të reja kadrovike, emërime të reja do të ju informojmë në mënyrë adekuate ashtu siç po ju informojmë tani. Për momentin kjo është e gjitha – tha Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.

Për përfaqësues të Këshillit të Institucionit Shkencor Publik-Institutit për Literaturë Maqedonase, Qeveria i emëroi Dimka Mitevën, Lubica Stankovskën dhe Vlladimir Martinovski. Njëherit ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski u emërua si përfaqësues i Qeverisë në Telekom dhe të njëjtin e zëvendësoi me ish këshilltaren e kryeministrit, Tanja Çaçarova Ilievska. /Alsat M/