Sulmuesi i Tottenham Hotspur, Harry Kane, ka treguar se sa i është dashur të sakrifikojë për të tejkaluar dy futbollistët më të mirë në botë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, për numrin e golave në vitin 2017.

Futbollisti anglez shënoi 56 gola gjatë vitit 2017, për klubin dhe përfaqësuesen, duke e përfunduar vitin e kaluar si futbollisti me më së shumti gola në Evropë.

(Foto: Getty Images)

24-vjeçari ka pranuar se është krenar që ka dalë mbi dy lojtarët më të mirë me numrin e golave në vitin kalendarik 2017.

“Për më shumë se dhjetë vite, ata (Messi dhe Ronaldo) janë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe e kanë dominuar futbollin”.

“Ata do të hyjnë në histori si lojtarët më të mirë që kanë ekzistuar”, ka deklaruar Kane në një intervistë për ESPN.

(Foto: Getty Images)

“Të dalësh dhe t’i mposhtësh ata, është diçka që më bën krenar. Sa më përket mua, do të doja ta bëja çdo vit. Jo vetëm t’i mposhtja ata, por të fitoja po aq trofe sa kanë fituar ata”.

“E kam sakrifikuar shumicën e kohës time, sidomos me ndeshjet që kanë qenë në orar. Duhet të stërvitesh, të luash, të rikuperohesh, të pushosh. Kjo është jeta e një futbollisti. Nuk ankohem. Është diçka që më pëlqen ta bëj”.

(Foto: Getty Images)

“Mirëpo, e humb ndoshta pjesën sociale të jetës. Është çështje mendimi. Jo çdo lojtar e bën atë që e bëj unë. Disa lojtarë dalin, shkojnë për dreka – gjëra të këtij lloji”.

“Nga këndvështrimi im, për të nxjerrë më të mirën nga vetja, duhet të shkoj në shtëpi, të pushoj, të rikuperohem, të qëndroj me familjen dhe të bëj gjithçka që mundem në këtë periudhë të shkurtër kohore për të arritur çfarë mundem”, ka thënë futbollisti anglez.