Disa udhëheqës botërorë kanë reaguar rreth urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump për ndalimin e hyrjes së refugjatëve dhe qytetarëve nga shtatë vende me popullsi kryesisht myslimane.
Përveç ndalimit të hyrjes së nënshtetasve të Irakut, Sirisë, Iranit, Sudanit, Libisë, Somalisë dhe Jemenit në Shtetet e Bashkuara për 90 ditë, urdhri ekzekutiv ndalon pranimin e refugjatëve sirianë pa afat kohor dhe ndalon për 120 ditë hyrjen e të gjithë refugjatëve në vend.
Presidenti tha se vetëm njerëzit që mbështesin Shtetet e Bashkuara duhet të lejohen në vend.
Një zëdhënës i kancelares gjermane Angela Merkel tha të dielën se Merkel “është e bindur se edhe beteja më e nevojshme kundër terrorizmit nuk e justifikon mosbesimin e disa njerëzve në sajë të origjinës ose fesë së tyre”.
Ndërkohë, kryeministrja britanike Theresa May është kritikuar nga politikanë të tjerë britanikë sepse ajo nuk foli kundër vendimeve të zotit Trump gjatë një takimi që ajo pati në Ankara me homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan.
Zonja May tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përgjegjës për politikën e tyre mbi refugjatët. Mbretëria e Bashkuar është përgjegjëse për politikën e Mbretërisë së Bashkuar për refugjatët”.
Por kur u kthye në Angli, ajo tha se Britania “nuk pajtohet” me vendimin e zotit Trump për ndalimin e hyrjes së myslimanëve, duke shtuar se veprimi nuk është një “që do të ndërmerret” nga Mbretëria e Bashkuar.
Politikani Jeremy Corbyn u shpreh se “Theresa May duhej të kishte folur për Britaninë dhe vlerat tona duke dënuar veprimet e zotit Trump. Kjo duhet të trishtojë vendin tonë se ajo zgjodhi të mos reagonte… Pas veprimeve të shëmtuara të Trumpit dhe dështimit të zonjës May për të folur kundër tyre, është më e rëndësishme se kurrë që ne t’i themi refugjatëve që kërkojnë një vend të sigurt se ata gjithmonë do të jenë të mirëpritur në Britani”.
Presidenti Trump ka në plan të vizitojë Britaninë këtë vit, por ligjvënësja britanike Sarah Wollston tha se udhëheqësi amerikan nuk duhet të ftohet për të folur në parlament, duke shtuar se “ata që dëshirojnë t’i servilosen” mund ta bëjnë diku tjetër.
Ministri i Jashtëm francez Jean Marc Ayrault tha rreth urdhrit ekzekutiv që ndalon hyrjen e refugjatëve se “mirëpritja e refugjatëve, të cilët duan t’i shpëtojnë luftrave dhe persekutimit, është pjesë e detyrës sonë”.
Homologu gjerman i zotit Ayrault, Sigmar Gabriel tha se “Shtetet e Bashkuara janë një vend ku tradita e krishterë ka një domethënie të rëndësishme. Të duash fqinjin tënd është një vlerë e rëndësishme e krishterë dhe kjo përfshin të ndihmosh njerëzit”.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau shkruajti në Twitter rreth qëndrimit të vendit të tij ndaj refugjatëve, ku tha se “Për të gjithë ata që po përpiqen t’i shpëtojnë persekutimit, terrorit dhe luftës, kanadezët do t’ju mirëpresin, pa marrë parasysh besimin tuaj. Larmia e popullsisë përbën fuqinë tonë #Mirësevini në Kanada”.
Reagime nga Lindja e Mesme
Një komision parlamentar i Irakut i kërkoi qeverisë së vendit të dielën t’i kundërpërgjigjet urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump që ndalon hyrjen në Amerikë të nënshtetasve nga shtatë vende myslimane.
Qeveria e Irakut deri më tani nuk ka komentuar publikisht rreth urdhrit ekzekutiv. Por zyrtarë në Bagdad thonë se ata do të bëjnë përpjekje të bindin administratën amerikane që të tërheqë vendimin për ndalimet dhe se kanë në plan të paralajmërojnë Shtëpinë e Bardhë se ndalimi i përkohshëm i emigracionit rrezikon sabotimin e bashkëpunimit të dy vendeve në luftën kundër grupit terrorist Shtetit Islamik.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe udhëheqësit sauditë do të flasim në telefon të dielën me presidentin Trump, dhe sipas një zyrtari në Dubai, i cili foli për Zërin e Amerikës në kushtet e anonimitetit, do të paralajmërojnë presidentin amerikan që të mos i shtojë dy vendet në listën e shteteve të përfshira.
Irani njoftoi të shtunën se do të ndalojë hyrjen e të gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara në vend si kundërpërgjigje ndaj vendimit të zotit Trump.
Teherani pastaj paralajmëroi se urdhri ekzekutiv nuk do ta bëjë më të sigurtë Amerikën. Ministria e Jashtme iranian tha gjithashtu se masat e tyre ndëshkuese do të mbeten në fuqi deri sa të hiqen kufizimet amerikane.