Shkruan: Alush Kamberi

Edhe një skandal i radhës i akademikëve maqedonas, pas Enciklopedisë së trilluar dhe pas shumë skandaleve të tjera! Me të gjitha këto veprime, fitohet përshtypja se kjo Akademi është themeluar vetëm për një qëllim: të hartojë vetëm projekte antishqiptare dhe t’ua vjedhë vlerat historike dhe kulturore shqiptarëve, këtij populli më të lashtë në Evropë!

Anëtarët e kësaj Akademie, nëse mund t’i quajmë akademikë, apo kusarë, të ushtruar nga nëntoka serbe, ditë e natë veprojnë me skenarë se si t’i vjedhin vlerat e historisë antike shqiptare, si ta përvetësojnë identitetin ilir, si ta përvetësojnë thesarin e zbulimeve arkeologjike ilire, si t’i përvetësojnë figurat antike, si t’i përvetësojnë kishat dhe thesarin kishtar shqiptar, si të kurdisin rrena, si…si…si…!

Pa kurrfarë turpi, njëfarë akademiku, Taki Fiti, edhe një herë do të tentojë ta përbaltë identitetin kombëtar të bijës sonë të madhe, Nënë Terezës, sot, Shën Tereza! Çfarë çmendurie?!

Ajo, me gojën e vet la Amanet se “Me gjak jam shqiptare…”, ndërkaq, këta të ashtuquajturit akademikë, i kundërvihen edhe këtij Amaneti të Nënës Terezë, duke ia trazuar eshtrat edhe në varr!!! Madje, që të jetë djallëzia edhe më ekstreme, ata i kundërvihen edhe Librit të Vatikanit, të botuar në 3 milionë kopje, në pesë gjuhë të huaja, në të cilin, faqja e parë fillon me Amanetin e Shën Terezës: “Me gjak jam shqiptare…”!

Po, a nuk është kjo edhe një marrëzi çmendurake e kusarëve akademikë maqedonas që merren me veprime kaq të ulëta dhe poshtëruese kundër shqiptarëve?!

Në bazë të çfarë argumentesh zoti Taki Fiti ju merrni guxim ta zhvishni nga identiteti kombëtar, bijën tonë me gjak shqiptari, e cila sa e sa herë u deklarua gjithashtu se “Unë, vazhdimisht lutem për popullin tim shqiptar…”?

Ma thoni, zoti Taki Fiti, vetëm një argument, nëse e posedoni: kur gjatë jetës së vet, Nënë Tereza e tha vetëm një fjalë në gjuhën vllahe (nëse ju mendoni se është vllahe)?!

Ma thoni zoti Fiti: kur gjatë jetës së vetë, Nënë Tereza, vetëm një herë ta ketë thënë një fjalë maqedonisht (nëse mendoni se ishte maqedonase)?!

Kjo, kurrë nuk ka ndodhur gjatë jetës së Nënë Trezës!

Nëse keni një pikë ndërgjegje, duhet të turpëroheni, sepse ju nuk merreni me shkencë, por me rrena!

Po, cilin doni ta mashtroni me këto rrena? Botën? Jo, gabim e keni! Bota e njeh Nënën Terezë, ashtu siç është deklaruar ajo vetë! Ky është realiteti. Por, ju të ashtuquajturit akademikë, jetoni e veproni jashtë realitetit! Për fat të keq!