Kryetari i Bashkësisë Islamë së Maqedonisë, Sulejman Rexhepi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që u bëri. Bamirësve merru myzhde”. (El Haxh, 37). Besimtarë të dashur, vëllezër e motra! Le ta falënderojmë Allahun e Lartëmadhërishëm që na e mundësoi që edhe sivjet ta presim festën e Kurban Bajramit, festën më të vjetër të njerëzimit, festën e parë që shënon devotshmërinë e njerëzimit ndaj të Madhit Allah që nga krijimi e këndej. Ibrahimi a.s. po bëhej gati që ta therë birin e vet Ismailin a.s. në emër të dashurisë së madhe që kishte ndaj Allahut xh.sh. ndërkohë që Krijuesi dhe Poseduesi i Gjithësisë nuk kishte nevojë as për mish dhe as për gjak dhe, kur e pa se me këtë akt flijimi, pa kurrfarë frike e rezerve po i shprehje dashuria e sinqertë, atëherë Allahu Fuqiplotë ua shpagoi këtë sakrifikim të më sublimes duke e bërë të qartë se, e mira, sado e vogël qoftë ajo, nuk mund të arrihet pa sakrificë.

Veprat e mira, dashuria e sinqertë, harmonia dhe bamirësia, këto janë ndër gjërat më të rëndësishme që i do dhe që i kërkon Allahu i Plotëmëshirshëm prej besimtarëve. Ebu Hurejra përcjell se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë : “Nuk do të hyni në xhenet përderisa nuk besoni dhe nuk do të besoheni përderisa nuk do të duheni në mes vete.” Ky është islami dhe vetëm këtë islam duhet ta përqafjmë dhe ta përcjellim. Çdo besimtar i devotshëm në këtë tokë është i ngarkuar me mision shumë fisnk – të rrezatojë vetëm dashuri, përmes të cilës hapen të gjitha shtigjet e qasjeve humane.

Besimtarë të dashur, ajetin që e citova në krye të kësaj porosie, përfundon me “Bamirësve merru myzhde!” Me këtë fjali në fakt hapet edhe dimensioni social i kësaj feste të sakrificës në emër të Allahut xh. sh. Në ditët e sotshme, bamirësia zbutë dhembjen e skamnorëve, të hallexhinjve por edhe lehtëson funksionimin e institucioneve, Medresesë, Fakultetit të Shkencave Islame, të cilët përkujdesen për zhvillimin dhe avansimin e jetës islame. Sot e përjetë, përmes aktit të bamirësisë, shprehet dashuria jonë njerëzore, kurse bamirësia institucionale shpreh unitetin, solidaritetin dhe dashurinë tonë ndaj njëri tjetrit, veprim ky për të cilin Pejgamberi ynë i dashur garanton se i hap portat e xhenetit.

Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emrin e të gjithë myslimanëve të vendit, të lusim Allahun Mëshirëplotë që haxhilerëve tanë t’ua pranojë haxhin dhe na u kthefshin shëndosh e mirë. Besimtarë të dashur, nesër, kur të ktheheni prej xhamive në shtëpitë e juaja, merruni ngryk, tejkaloni të gjitha inatet dhe hasmëritë, zgjatjani dorën vëllai vëllait, zgjateni dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e skanmorit, le të mbisundojë vetëm dashuria e sinqertë ndaj njëri tjetrit, sepse kështu do të përmbushim porositë e Krijuesit tonë Suprem. Ju qoftë për hajër Kurban Bajrami dhe, Allahu Mëshirëplotë ju bekoftë.

Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu

H. Sulejman ef. Rexhepi
Reisul Ulema i BFI në RM