Shiu i rrëmbyeshëm dhe intensiteti i madh breshërit që kapluan dje Shkupin kanë shkaktuar pasoja të shumta, sidomos në fshatrat e Komunës së Haraçinës. Fshati Grushinë është njëri ndër fshatrat në të cilin ishin shkaktuar shumë dëme. Banorët njoftuan se dëmet në këtë fshat ishin kryesisht tek të mbjellat e bujqve. Ndërkaq, bujqit shprehnin brengën për paratë dhe mundin që i kishin investuar për këto të mbjella.

“Dëmet janë të mëdha, diku 90%, gati 100% janë shkatërruar shalqinjtë, lulediellit, drithërat. Tash është koha e të korrave, i ka shkatërruar të gjitha…Ne personalisht kemi diku 5 000 euro investime, por ka edhe disa fshatra që kanë dëme diku deri 100.000 euro”, deklaroi bujku Ferat Fejzullahu.

“Kjo arë këtu është e imja, është me luledielli, siç po e shihni gati 100% është e dëmtuar… Faktikisht unë me bujqësi merrem ka 30-40 vite, kemi pasur edhe herëve e tjera dëme, mirëpo sikur kësaj here, jo me këtë intensitet”, tha bujku Naim Bislimi.

Edhe kryetari i komunës së Haraçines, Brahim Ajvazi, tha se dëmet e shkaktuara nga shiu dhe breshëri në kulturat bujqësore janë gati qind për qind. Ai bëri apel deri tek qeveria që të merr masat e duhura për sanimin e problemit.

“Në bazë të informatave të qytetarëve kulturat bimore janë 100% të dëmtuara dhe kjo pjesë e popullatës merret më së shumti me bujqësi dhe ardhmërinë e kanë prej tokës. Me qenë se kjo është një fatkeqësi e Zotit, ky vit do të jetë vit i vështirë. Unë do të kisha apeluar deri tek institucionet, deri tek qeveria që të marrin masa, të formojnë komisione, nuk ka nevojë unë ti këshilloj, të dalin në teren, ta bëjnë vlerësimin dhe të kompensohen këto qytetar”, deklaroi kryetar i komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.

Përveç dëmeve në të mbjellat, banorët treguan edhe për dëmet që u janë shkaktuar në fasadat dhe çatitë e shtëpive si dhe dëmet në vetura. Por, më të theksuara dëmet e këtilla shihen në fshatin Orllancë, ku breshëri ka thyer tjegullat dhe dritaret e shtëpisë së një banori të kësaj ane. Pronari i kësaj shtëpie, Imer Osmani, tregon për pasojat që dje u shkaktuan nga moti i ligë.

“Breshëri i prishi çatitë, dritaret, i ka thyer veturat…Gruri, misri, domatet të gjitha i ka prishur, i ka zhdukur, ne nuk kemi tash asgjë, gjithçka që kemi mbjellë është prishur”, tha një qytetar.

Për të parë dëmet e shkaktuara tek të mbjellat, në terren kishte dalë edhe ministri i bujqësisë Lupço Nikollovski. Ai theksoi se në momentin që ato dëme do të vërtetohen nga ana e komisioneve, qytetarët do të marrin kompensime për dëmet e pësuara.

“Dua të informoj për veprimet tona në pajtim me kompetencat e ministrisë të cilat mënjëherë po i ndërmarrim, me qëllim që ta kthejmë jetën tek të gjithë qytetarët. Ne do të jemi çdoherë me qytetarët në secilën ndodhi që ata do të kenë nevoj, për këtë sot do të jemi në disa komuna që të bëjmë hetim të gjendjes…Dhash urdhër që sot deri në orën 17 dhe më së voni deri nesër të shikojnë dëmët në kulturat bujqësore dhe të njejtat menjëherë do të vërtetohen”, deklaroi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.

Ministri Nikollovski, gjithashtu njoftoi se nesër ai do të propozoj që kjo problematikë të jetë pikë e rendit të ditës në kuvend. Ndërsa përveç fshatërave Grushinë dhe Orllancë, dëme nga breshëri janë shkaktuar edhe në fshatin Mojancë dhe disa fshatra tjera të komunës së Haraçinës./Shenja