Burime diplomatike thonë se në Bruksel janë paraqitur dyshime për punë korruptive të drejtorit të Agjencisë për kontrollim të fluturimeve Civile (M-NAV), Migjen Asani.
Sipas këtyre burimeve edhe pse kompania M-NAV posedon zyra të veta në qendër të Shkupit, drejtori për të cilin thuhet se është emëruar ng BDI, ka vendosur që një pjesë të punësuarve të transferohen në zyra te QT Mavrovsaja, “të cilat janë në pronë të një ish ministri të BDI-së dhe për të cilat do të paguhet qira e majme me para shtetërore”, kanë thënë burime diplomatike.
Pikërisht këtu janë paraqitur dyshime te përfaqësues të lartë evropianë se ekziston bazë për korrupsion. Burime diplomatike kanë thënë se këtë “aferë të dyshimtë” e ka vërejtur një ekip i formuar në Bruksel, i cili ka për qëllim që pas kapitullimit të “tajfës së korruptuar në krye me Nikolla Gruevskin, ta detyrojnë në kapitullim edhe tajfun e korruptuar politike të shqiptarëve të Maqedonisë”.
Nga kabineti i drejtorit ekzekutiv të M-NAV, Migjen Asani, kanë deklaruar për gazetën Veçer se shkak për transferimin është numri i shtuar i të punësuarve dhe mungesa e pranimit teknik të objektit. Kjo përgjigje nuk është shumë bindëse, duke pasur parasysh se në të njëjtën ndërtesë pa problem funksionojnë Komisioni republikan për energjetikë, Agjencioni për supervizion të sigurimeve, Komisioni për letra me vlerë… dhe askush prej tyre nuk ka përmendur nevojën për transferim të zyrave./GazetaLajm/