“Unë njoh një rast eklatant të një dënuari më burgim të përjetshëm, që është nga një fshat i ngjitur me fshatin tim, nga Poroji dhe i dënuari quhet Burhan Poroji, dhe  ankesa e tij për t’u rishikuar çështja e dënimit  të tij të përjetshëm, se i ka të gjitha provat që është i pafajshëm, nga instanca e Gjykatës supreme, që dhjetë vjet rri e patrazuar në arkivën e kësaj gjykate, një rast, pra,që do të ishte i paprecedentë edhe në Afrikën e dikurshme të Jugut, kurse për Maqedoninë është një çmenduri e llojit të vet që të tmerron,e jo të quhet “gjyqësi demokratike”.

Nëpër burgjet e Maqedonisë ka shqiptarë që janë të dënuar me burgim të përjetshëm për raste të ndryshme si për vrasje e krime të tjera. Por shumë herë është deklaruar se nga këta të burgosur ka edhe të “pafajshëm”të cilët janë dënuar pasi që kanë pësuar skenarët e errëta.

Rasti i fundit është deklarata e Zoran Bozhinovskit, i cili tha se shqiptarët e dënuar me burgim të përjetshëm  për rastin Monstra janë të pafajshëm.

“Më 12.09 do të organizohet mbledhje publike në Gjykatën Supreme për rastin Monstra, një tentim i ri për të shpëtuar Trajko Veljanovskin nga pesë dënime të përjetshme për përzierje në këtë rast monstruoz. Do të provoj të zbardh disa momente. Për fillim pak gjeografi. Dëshmitari i fshehtë i rrejshëm I MVR- DPMNE, në bazë të gënjeshtrave të tij të rrejshme që u dënuan me burgim të përjetshëm persona që nuk kanë lidhje me këtë vrasje të pesëfishtë, në dëshmitë e tij vazhdimisht kishte theksuar se vrasja ka ndodhur në liqenin e Zhelezarës, ndërsa prokuroria vazhdimisht e kishte përmirësuar duke ia bërë me dije emërtimin gjeografik Liqeni Smilkovës”, ka shkruar Bozhinovski.

Lidhur me deklaratën e  gazetarit Bozhinovski, publicisti,  Nijazi Muhamedi ka thënë se nuk është hera e parë që është bërë një deklaratë e tillë dhe ka thënë se rasti “Monstra” do trazojë ujërat brenda maqedonase.

Përveç, rastit “Monstra”, Muhamedi ka thënë se në burgjet e Maqedonisë ka shumë shqiptarë që kanë pësuar skenarë të tilla dhe se lënda e tyre ka mbetur duke u sorollatur nga një instancë gjyqësore në tjetrën që të mos marrë zgjidhje.

Ai mendon se palët e dëmtuara do të kishin të drejtë t’i drejtoheshin Gjykatës së Strazburgut.

Po ashtu, ai ka shtruar një rast konkret të një të dënuarit me burgim të përjetshëm. Sipas, Muhamedit rasti i Burhan Porojit i cili i ka të gjitha provat që është i pafajshëm, nga instanca e Gjykatës supreme ka 10 vite që rrinë nëpër arkivave të kësaj të fundit.

“Unë njoh një rast eklatant të një dënuari më burgim të përjetshëm, që është nga një fshat i ngjitur me fshatin tim, nga Poroji dhe i dënuari quhet Burhan Poroji, dhe  ankesa e tij për t’u rishikuar çështja e dënimit  të tij të përjetshëm, se i ka të gjitha provat që është i pafajshëm, nga instanca e Gjykatës supreme, që dhjetë vjet rri e patrazuar në arkivën e kësaj gjykate, një rast, pra,që do të ishte i paprecedentë edhe në Afrikën e dikurshme të Jugut, kurse për Maqedoninë është një çmenduri e llojit të vet që të tmerron,e jo të quhet “gjyqësi demokratike”. Ja , bie fjala, kjo çështje mund të nisë të marrë zgjidhje për një ditë, nëse e trazon avokati i tij ,nëse e trazon Obdusmani apo komiteti i Helsinkut,etj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Muahmedi ka thënë se ky duhej të ishte preokupimi kryesor dhe sprovë e ndershmërisë edhe e atyre “përfaqësuesve shqiptarë” në koalicion me Zaevin, jo dalldisja e tyre pas zgjedhjeve lokale e të tjera interesa të tyre.