Marrëveshja e Ohrit nga një tendencë për ndërtim të një shteti të ri, u shndërrua në një kornizë e cila i ngulfati marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni dhe si e tillë është marrëveshje e pasuksesshme, thotë në intervistën ekskluzive për Medial, lideri i Lëvizjes opozitare BESA, Bilall Kasami. Prandaj, shton ai, “ne kërkojmë një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe bashkësitë më të vogla, respektivisht ridefinimin e shtetit”.

“Marrëveshja e Ohrit erdhi si një rezultati i një konflikti të armatosur që ndodhi në vitin 2001 dhe duhej të ishte një mundësi e mirë, një bazë e mirë që të ndryshojnë relacionet një herë e përgjithmonë në shtetin e përbashkët. Fatkeqësisht, si një rezultat i një klase politikanësh të dështuar, të cilët ishin në skenën politike pas vitit 2001, e të cilët fatkeqësisht e kishin përgjegjësinë e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, sot 16 vite pas nënshkrimit të saj, në flasim ende për probleme ndëretnike midis dyja komuniteteve më të mëdha – shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Për këtë arsye shton Kasami, Lëvizja BESA kërkon ridefinimin e shtetit që Maqedonia të jetë shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, por duke i respektuar dy komunitetet më të mëdha – maqedonasit dhe shqiptarët. Sipas liderit të partisë më të madhe opozitare, bile ridefinimi i shtetit nënkupton një marrëveshje midis dy komuniteteve më të mëdha që jetojnë në një shtet, por edhe qytetarëve të bashkësive të tjera etnike, për të ndërtuar një shtet të barabartë, ku do të ketë drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare.

“Kjo fatkeqësisht nuk u arrit me Marrëveshjen e Ohrit, sepse maqedonasit e llogaritnin si të imponuar nga ana e shqiptarëve pas 2001, kurse shqiptarët nuk patën potencialin e mjaftueshëm intelektual dhe politik. Klasa politike që atë kohë ishte në skenën politike më shumë u fokusua në përfitime dhe pasurim personal, sesa në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit që asnjëherë dhe nuk ndodhi. Marrëveshja e Ohrit nga një kornizë për ndërtim të një shteti të ri, u shndërrua në kornizë e cila ngulfati marrëdhëniet ndëretnike në vend dhe ne sot e kësaj dite flasim për një marrëveshje të pasuksesshme”.

Ndryshe, Kasami dhe partia e tij në opozitë BESA, mbesin në qëndrimin e tyre se vetëm me një marrëveshje të re do të mund të kemi një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët që jetojnë në vend.