Robert Allajgjozovski, ministër për Kulturë, ka bërë të ditur se për buxhetin e vitit 2018 për kulturën kanë bërë shkurtime të harxhimeve ”megalomane dhe joproduktive” të parave tëe qytetarëve.

Ai theksoi se do të investohet në kulturë dhe art. Për vitin 2018 janë ndarë mbi 4 miliardë denarë, respektivisht afër 70 milionë euro, që paraqet një rritje prej 4.48%, krahasuar me vitin 2017.

90% e buxhetit do të përdoret për financimin e veprimtarive në sferën e kulturës, kurse vetëm 9% në atë të harxhimeve administrative.

Allajgjozovski sqaroi se do të vazhdohet obligimet e trashëguara financiare për Filharmoninë, pastaj për Teatrin shqiptar në Shkup, teatrin dhe bibliotekën e Tetovës, duke vazhduar me aktivitete teatrore, mbrojtje të trashëgimisë kulturore, veprimtari muzikore dhe skenike-artistike, veprimtari folklorike, veprimtari muzeale, si edhe për Agjencinë për film.

Ministri bëri të ditur se i është dhënë fund projektit ”Shkupi 2014”, por do të vazhdohet me punë vetëm te përmendorja e Nënë Terezës dhe te Shtëpia e oficerëve.

Gjithashtu, janë duke u verifikuar dëmet nga ”Shkupi 2014” dhe përmes revizionit do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm. Risi në këtë propozim është financimi i projekteve për integrime evropiane./Telegraf