Paga mesatare neto e paguar për të punësuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë për muajin mars 2023, të publikuara sot, është rekord prej 34.925 denarë, shkruan në Fejsbuk zëvendës krymeinistri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Indeksi i pagës neto të paguar për muajin mars 2023 krahasuar me pagën mesatare neto të paguar për mars 2022 është 112,4 dhe tashmë po i afrohet indeksit të kostos së jetesës (inflacionit), i cili për muajin mars sipas ESHS ishte 114,7. Trendi i uljes së inflacionit do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti 2023, siç e tregojnë të gjitha institucionet përkatëse në projeksionet e tyre: BPRMV, Banka Botërore, FMN.

“Kjo qeveri, duke zbatuar politika ekonomike të parashikueshme dhe konsekuente, do të vazhdojë të mundësojë një rritje të vazhdueshme të standardit të qytetarëve, pagat e të cilëve pritet të vijojnë të rriten me 10-20% në muajt e ardhshëm. Gjithashtu, ne krijojmë vende të reja të paguara mirë të punës, duke sjellë investitorë që futën teknologji të reja dhe produktet dhe shërbimet e të cilëve kanë një vlerë të shtuar të lartë, e cila në mënyrë të pashmangshme rrit produktivitetin e të gjithë ekonomisë vendore dhe ky është shtytësi kryesor i rritjes së pagave të cilat do të rriten gjithnjë e më shumë”, thotë në publikimin zëvendës kryeministri, Fatmir Bytyqi.