Zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar mbrëmë një takim të përbashkët, por jo në vendin e tyre të punës. Pjesëmarrës, në një darkë joformale, ishin Presidenti dhe kryeparlamentari i vendit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë kosovare darkuan bashkë, në rezidencën e zëvendësit të parë të Haradinajt, Behgjet Pacolli.

Ky takim i udhëheqësve të vendit, në periferi të Prishtinës, në Hajvali, ndodhi një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kabineti i kryeministrit ka bërë të ditur se takimi i qeveritarëve të vendit, në shtëpinë e Pacollit, është i natyrës joformale.

Në darkën në Hajvali nuk është i pranishëm zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nga Nisma.

Në takimin joformal nuk po marrin pjesë as ministrat e partisë së Limajt në Qeverinë e Kosovës. Arsyeja e mungesës së Limajt dhe ministrave të Nismës në këtë mbledhje nuk është bërë e ditur.

Mesohet se Presidenti Thaçi ka dalë me propozim që Qeveria e Kosovës dhe institucionet përcjellëse të barten në Hajvali. Merret vesh që janë përmendur edhe ndërtuesit potencialë. Express ka marrë vesh që këtë propozim Presidenti do ta bëjë edhe në një mbledhje të ardhshme të Qeverisë.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës kanë zhvilluar një takim të përbashkët, në natën e së dielës.

Takimi, i natyrës joformale, u zhvillua një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe kjo bëri që të spekulohet në media se arsyeja e mbledhjes së udhëheqësve të vendit ishte pikërisht çështja e demarkacionit, që po e mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, qëllimi i takimit të krerëve të vendit në Hajvali ishte krejtësisht tjetër.

Gjatë darkës së udhëheqësve janë përmendur edhe ndërtuesit e mundshëm të objekteve të reja shtetërore.

Mirëpo, ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ishte e vetmja grua e cila mori pjesë në darkën e Qeverisë në Hajvali.

Në darkën e cila u quajt joformale nga ana e kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, ka munguar ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha. Kështu në mesin e 22 pjesëmarrësve sa ishin prezent në këtë darkë, gratë u përfaqësuan vetëm nga Albena Reshitaj.

S’kishte si të ishte ndryshe kur edhe vetë kryeministri Haradinaj më parë kishte pranuar se në Qeverinë që ai udhëheq ka numër të vogël të grave.