Shumica parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë, e përbërë nga LSDM-ja dhe partitë shqiptare, ka nisur procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit, për t’i dhënë fund bllokadës së Kuvendit dhe për të nisur procesin e zgjedhjes së Qeverisë së re.

Këtë e paralajmëroi pak më herët sot lideri i LSDM-së Zoran Zaev, por deputetët e VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit vazhdojnë ta bllokojnë në të gjitha mënyrat.

 

Nuk dihet nëse me këtë do të nisë zgjidhja e krizës, apo ajo do të thellohet edhe më shumë, duke pasur parasysh se edhe partia e Gruevskit edhe presidenti i shtetit Gjorge Ivanov kanë vendosur të pengojnë formimin e qeverisë së re nga shumica e udhëhequr nga Zaevi. Madje, përkrahësit e VMRO-së kanë kërcënuar hapur Zaevin dhe të tjerët që të mos tentojnë të nisin ndonjë gjë për të zgjedhur spiker dhe qeveri të re.