Në profilin e librit Shekulli i ri i politikes shqiptare te botuar para disa viteve nga shtepia botuese Toena ne Tirane, sot perkujtohen disa citate te autorit te librit Profesor Veton Latifi, me rastin e Dites se Flamurit:

“Politika moderne shqiptare që nga pavarësia e Shqipërisë e këtej, ndryshe nga shumë popuj të tjerë të Ballkanit, në asnjë moment nuk përpilon e as nuk përdoret me platforma destruktive, as me doktrina të ekspansionizmit me çmim ndaj humanes. Sepse procesi politik shqiptar zhvillohet tërë kohën në frymën e filozofisë së vet humaniste dhe mendimit të shtresëzuar politik të rilindësve shqiptarë pavarësisht fazave dhe vështirësive të periudhave të ndryshme. Ato janë premisat e filozofisë politike shqiptare dhe vlerat e procesit politik shqiptar. Dhe ato nuk zhbëhen e nuk ndryshohen lehtë, meqë thjesht është logjika dhe kursi që e formëson politikën moderne shqiptare. (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare, f. 31-32).

“Shqiptarët, si rrallë ndonjë popull tjetër në historikun e civilizimeve bashkëkohore, vetëm brenda njëqind viteve kanë përjetuar gati të gjitha format e sistemeve politike dhe kanë qenë të udhëhequr nga të gjitha format e llojet e lidershipeve politike që njeh tipologjia e shkencave politike. Mirëpo, marrë në përgjithësi, një nga imazhet e procesit politik shqiptar nga këndvështrimi i stilit të lidershipit politik është historia e lodhshme e prijësve autoritarë e diktatorial…. Dhe nga qeverisja autokratike e diktatoriale shqiptarët kanë përjetuar vuajtjet dhe tmerret më të mëdha përgjatë procesit politik të shekullit të parë të politikës shqiptare.”( Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare, f. 79).

Ja si e mbron dhe e arsyeton nacionalizmin shqiptar Prof. Veton Latifi:

“Nacionalizmi shqiptar gjithnjë është kultivuar dhe, me siguri, do të vazhdojë të zhvillohet sapo të ekzistojë kombi. Por, nacionalizmi shqiptar gjithnjë ka qenë sintagma për liri të popujve dhe thirrja për integrime me pjesën perëndimore të Evropës. Nacionalizimi i disa popujve të tjerë të Ballkanit, fatkeqësisht, edhe në të kaluarën edhe sot në epokën e integrimeve, shpesh ka dimensione shovinizmi dhe thirrje për rezistencë të dhunshme apo dyshim historik ndaj Evropës e Perëndimit, si dhe kërkim për shpëtim kah Lindja dhe, e tërë kjo është e përcjellë me sindromën e synimit të zhbërjes apo shtrembërimit të historisë së popujve të tjerë.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare, f. 163-164)

Ja cila do te ishte e ardhmja e shqiptareve?

“Nuk ekziston ndonjë platformë shqiptare lidhur me formën e sistemit politik në të cilën ata do të jetonin në të ardhmen. Në rend të parë kjo çështje varet nga marrëdhëniet e përgjithshme ndërkombëtare, gjeopolitikat e rajonit, niveli i qëndrueshmërisë së shteteve, kombeve e identiteteve të tjera të Ballkanit. Po ashtu, e ardhmja e sistemit politik të shqiptarëve është në lidhje të ngushtë me zhvillimet shoqërore brenda vetë shqiptarëve. Pastaj kjo çështje varet edhe nga investimi që do të bëhet në të ardhmen në politikat publike inovative dhe vazhdimësia e modernizimit politik. Kurse në fakt, e një rëndësie përcaktuese në drejtim të së ardhmes së sistemit politik të shqiptarëve do të jetë dinamika e integrimeve evropiane.”( Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare, f. 192).

“Politika e shqiptarëve për fanar të vetin njeh mendimin politik humanist dhe universal të rilindësve shqiptarë, pra duke ndjekur e mbajtur gjithnjë rrugën e profilizimit të politikave të tjera moderne perëndimore të cilët po ashtu mbështesin politikat e tyre te mendimi politik dhe filozofik i iluministëve dhe humanistëve të dalluar evropianë.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare, f. 16).

Perndryshe librit Shekulli i ri i politikes shqiptare ishte i vleresuar larte nga kritika dhe shtypi ne Tirane dhe Prishtine asokohe si nje platforme e re per te ardhmen e kombit shqiptar ne Ballkan dhe nje strategji per modernizimin e politikave shqiptare.