Ndërsa vala e variantit Omicron ka arritur kulmin e saj në Gjermani, zyrtarët e lartë shëndetësorë paralajmëruan se masat kufizuese kundër koronavirusit do të ndërmerreshin me kujdes dhe hap pas hapi.

“Të dhënat mbi numrin e rasteve dhe testeve PCR kanë treguar se kulmi i valës Omicron ka kaluar”, deklaroi sot Lars Schaade, nënkryetari i Institutit të Kontrollit të Sëmundjes RKI, në Berlin.
“Megjithatë, kulmi nuk është arritur ende në njësitë e kujdesit intensiv”, shtoi ai, shkruan Dpa.

“Do të ketë një lehtësim gradual të masave kufizuese për të reduktuar përhapjen e infeksioneve, por vetëm nën monitorimin e kujdesshëm të zhvillimeve”, tha Schaade.
Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi te mërkurën se lehtësimi i masave kufizuese kundër koronavirusit në Gjermani do të kryhej përmes një procesi që do të kalonte në tre faza deri më 20 mars.