Nga Ylli Pata 

Zbulohen çdo ditë e më shumë prapaskenat e vendimit të Beogradit për shkrirjen thuajse totale të ambasadës së saj në Shkup.

Asnjë nga argumentet zyrtare dhe jozyrtare nuk qëndron, por sipas të gjitha gjasave ka qenë Uashingtoni ai që i ka kërkuar krerëve serbë që të nisin spastrimin në Shkup.

Siç mësohet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar në Ballkan vetëm javët e fundit një grup të madh diplomatësh që arrin deri në 100 zyrtarë të cilët janë instaluar në kryeqytetin e Maqedonisë, për të mbyllur përfundimisht telashet e hapura prej tre vitesh nga influence ruse atje.

Grupi i diplomatëve nuk do të merret vetëm me Maqedoninë, por me gjithë Ballkanin, ku do të funksionojë si një Task-Forcë operative analizash dhe veprimesh për Departamentin e Shtetit.

Vizita e fillim muajit e zv.presidentit të SHBA, Mike Pence në Podgoricë, ku takoi liderët e rajonit, i ka vendosur vulën angazhimit amerikan për Ballkanin.

Task forca e Shkupit, që prej vitesh ishte kthyer në një qendër spiunazhi në rajon, është një farë mënyre kundërmasë ndaj “Qendrës Humanitare serbo-ruse” të Nishit, e cila është edhe qendra operative e shërbimeve sekrete të Moskës për rajonin jo vetëm në Ballkan por që përfshin edhe Lindjen e Mesme.

Dyndja e refugjatëve nga Siria por edhe vende të tjera të Lindjes së Mesme e kthyen Maqedoninë në një rrugë kryesore të ardhjes së refugjatëve që më pas u shtrinë në Europë.

SHBA, ka sinjale që me grupet e refugjatëve kanë mbërritur edhe rreziqe potenciale nga organizatat që kontrollohen nga shërbimet sekrete për të mbjellë trazira.

Task Forca diplomatike e Shkupit do të mbulojë Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Bosnjën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Por ndërkohë do të jetë një vëzhguese e afërt e ndikimit grek në rajon.

Edhe pse nuk është përfolur shumë, ka të dhëna se shërbimi sekret grek ka ndihmuar serbët gjatë kohës së trazirave të prillit, ku kulmin e patën në tentativën për vrasje të Zoran Zaevit dhe Zijadin Selës në Parlamentin e Maqedonisë.

Në një shkrim të ditës së djeshme, portali sensacional serb “Alo” shkruan se shërbimi sekret i Greqisë, EYP, ka paralajmëruar qeverinë serbe se ka një plan të SHBA dhe Britanisë së Madhe që në krye të Kishës Ortodokse të Maqedonisë të vendosin priftërinj me origjinë shqiptare.

Portali serb shton më tej se në raportin e shërbimit inteligjent grek theksohej se ka një plan amerikan që Maqedonia dhe Kosova të heqin kufijtw mes njëri-tjetrit, duke krijuar premisat për një pranim të dy vendeve sa më shpejt si anëtarë të NATO-s.

“Kjo situatë do të krijonte një precedent mjaft të komplikuar, pasi Serbia do të kufizohej në pikat e saj jugore kufitare me trupat e NATO-s dhe e gjitha kjo ndodh vetëm 90 kilometra nga qendra ruse e Nishit”, thekson portal “Alo”, duke cituar shërbimin grek të inteligjencës.

Shërbimi sekret grek, gjithnjë sipas portalit serb akuzon Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se me platformën shqiptare që ia imponoi Zoran Zaevit ka krijuar një rreth vicioz gjeopolitik duke krijuar një shtet gjysëm shqiptar në Maqedoni.

“Alo”, vazhdon më tej duke lidhur faktet e mësipërme me shqetësimin e Athinës, e cila ka dërguar ushtrinë e saj në kufi me Shqipërinë.

Para dy javësh, Kryeministri shqiptar Edi Rama zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit Rex Tillerson, ku mësohet se është folur mjaft edhe për rajonin, por edhe për të përmirësuar marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.

I gjithë ky sfond shumë tektonik në Ballkan, duket se ka qenë shkaku që SHBA të përforcojë edhe me njerëz kontigjentin diplomatik të Ballkanit.

Serbia, vetëm tre ditë më parë tërhoqi të gjithë stafin diplomatik nga Shkupi, me pretekstin se ka pasur aksione kundër Beogradit nga qeveria e Maqedonisë.

Por një ditë pas këtij vendimi, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, e cila ishte krejt e qetë dhe pa asnjë tension të ngritur.

Siç duket i gjithë skenari i hartuar nga Beogradi, kishte qëllimin për të zëvendësuar diplomatët e Shkupit, pa u turpëruar politikisht.

Siç mësohet, një pjesë e mirë e stafit të ambasadës serbe në Shkup, janë kapur me “presh në dorë”, duke ndikuar direkt në trazirat e prillit.

Ka material video, audio edhe shumë e shumë dëshmi për këtë.

Një shqiptar, i Maqedonisë, i cili punon për agjencitë e rëndësishme të inteligjencës së një vendi të NATO-s, ka arritur të fotografojë më 27 prill involvimin e njerëzve të Moskës dhe Beogradit në tentativën për të eleminuar ish-krerët e opozitës në Maqedoni, pra LSDM-së dhe shqiptarët, për të mos lënë që Zaev të marrë drejtimin e Maqedonisë.

Por dy ditë pas sulmit në Parlament, në Shkup mbërriti Hoyt Brian Yee, zyrtari i lartë i DASH, që detyroi presidentin e Maqedonisë Gjeorgje Ivanov, t’i japë Zoran Zaevit mandatin e kryeministrit. /tesheshi.com/