Me rritjen e fundit të çmimit të derivateve të naftës, si duket po merr fund trendi i uljes së naftës, i cili në vazhdimësi deri 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, çmimet shënonin ulje pothuajse për 10 për qind.

 Në javën e parë të muajit dhjetor të vitit të kaluar, një litër naftë në pompat e karburantit, blihej me çmim për 57 denarë, ndërsa një litër naftë kushtonte 44 denarë. Ndërkohë, me vendimin e fundit për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës nga ana e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRE), i sjellë me datë 6 mars të kij viti, një litër benzinë tani shitet më çmimi prej 65 denarë, ndërsa për një litër naftë çmimi është 54 denarë. Vendimet e fundit të KRE-së që çdo javë të rrisë çmimin e derivateve të naftës, opinioni e vlerëson si përpjekje që të ndihmohet shteti në mbushjen e buxhetit, i cili me vështirësi po realizohen sipas parashikimeve të projektuar për dy muajt e parë të këtij viti. Për ekspertin ekonomik, Fatmir Bytyqi, është i mendimit se rritja e çmimit të derivateve të naftës dukshëm mund të ndikon në mbushjen e buxhetit, por nuk beson se intenca e rritjes së çmimit është për nevoja të mbushjes së buxhetit.

“Mendoj se rritja e çmimit të naftës në parim është e bazuar në lëvizjet e çmimit në bursë si dhe lëvizjeve të tregut te brendshëm dhe në këtë nuk mund të ndikojë faktori politik, aq më tepër kur dihet se çmimin e derivateve të naftës e rregullon Komisioni Rregullator për Energjetikë. Në aspekt të spekulimit se rritja e çmimit të derivateve të naftës është për qëllime të mbushjes së buxhetit edhe mund të themi, por në aspekt institucional them se kjo ndodh vetëm për nevoja të tregut”, thotë për KOHA, Bytyqi. Nga KRE-ja informojnë se çmimi i derivateve të naftës formohet në pajtim me metodologjinë e formimit të çmimeve të derivateve të naftës, gjegjësisht çdo dy javë bëhet kontroll për formimin e çmimit të ri të derivateve të naftës.

“Elementet bazë për formimin e çmimit janë çmimi shitës i naftës në tregjet botërorë për periudhë kohore për 14 ditë, përllogaritje e harxhimeve gjatë përpunimit të naftës dhe bartjen e produkteve finale në pikat e shitjes së karburanteve. Elementi i dytë është lidhshmëria me kursin valutor të dollarit sepse nafta blihet me dollarë”, thonë nga KRE-ja. Me vendimin për rritjen e fundit të çmimit të derivateve të naftës një litër benzinë e përpunuar që shitet me shumicë për momentin për një litër benzinë është 30 denarë. “Pas kësaj, llogaritet çmimi i transportit deri te pikat e shitjes së derivateve të naftës, ku pronarët e pompave të benzinës bëjnë kalkulimet e tyre për një litër benzinë që do të shitet me pakicë. Në fund llogaritet akciza që është vlerë absolute prej 24.5 denarë për një litër varësisht nga lloji i benzinës. Gjithë kësaj i shtohet edhe TVSH-ja prej 18 për qind dhe fitohet çmimi final me pakicë, sa është për momentin prej 65.5 denarë për një litër benzinë apo 53.5 denarë për një litër naftë”, thonë nga KRE-ja.

Pra, si përfundim llogaria matematikore në bazë të metodologjisë së rritjes së çmimit të naftës, fitues më të madh nxjerr shtetin, për shkak se nga një litër naftë dhe nga akciza e TVSH-së inkason në buxhet rreth 35 denarë për një litër benzen apo naftë. Ndryshe, çmimi i lartë i një litër benzinë që është shitur në pompat e benzinës është shënuar në muajin shkurt të vitit 2013, duke arritur çmimin prej 87 denarë, ndërsa çmimi më i lirë i benzinës është shënuar në muajin janar të vitit 2009, në vlerë prej 47 denarë./KOHA/