Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut thonë se vala e tretë e pandemisë është duke u qetësuar. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, masat kanë prodhuar rezultate dhe si pasojë kufizimet do të lehtësohen. Ai njoftoi se gjatë një takimi me liderët fetar janë dakorduar që t`u bëhet thirrje qytetarëve t`i respektojnë masat, me qëllim që të mos ketë përkeqësime të mëtutjeshme.

“Në momentin kur filluan të bien numrat, në atë moment ne vendosëm masa shtesë restriktive, me qëllim që tërë ai proces të përshpejtohet, të zbrazen spitalet, megjithatë, e kishim parasysh se para nesh janë festat, kurse duke mësuar nga përvoja paraprake nga viti i kaluar, se festat ishin një moment i përkeqësimit të situatës epidemiologjike, mirë që masat dhanë rezultate, dhe tani kemi numër gjithnjë më të ulët të diagnostikuarve të rinj, gjithnjë dhe më i vogël është pranimi i pacientëve në spital. Tërë kjo na e jep të drejtën të themi se kjo valë po qetësohet”.

Ndërkaq, sa i përket sasisë së vaksinave të cilat pritet të arrijnë nga Kina, Filipce njoftoi se më 28 Prill pritet të nisen nga Pekini ndërsa me 1 Maj të arrijnë në vend.

“Sipas informacionit më të fundit nga dje, vaksinat kineze nga Pekini në Stamboll do të arrijnë më 28 prill, nga Stambolli në Beograd më 30 prill, dhe prej andej me siguri do të mbërrijnë në Shkup në mbrëmjen e 30 Prillit ose 1 Majit me transport special për ftohje pas së cilës do t’i vendosim në dhomën e ftohjes në poliklinikën ‘Jane Sandanski’”.

Në Maqedoninë e Veriut deri tani janë vaksinuar 53.193 qytetarë, kurse përmes aplikacionit online janë paraqitur mbi 200 mijë të tjerë. Po bëhen përgatitjet për imunizimin masiv të popullatës, proces që duhet të fillojë pas festës së Pashkëve në gjashtë punkte rajonale në Kumanovë, Shtip, Manastir, Ohër, Tetovë dhe Kavadar.