Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia do të dërgojë një note proteste në Kombet e Bashkuara për shkak të pranisë së anëtarëve të delegacionit nga Prishtina në sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, transmeton Gazeta Express.
Ai ka folur për takimet bilaterale që delegacioni i Kosovës po i mban nëpër korridore, duke thënë se vetëm në ato hapësira delegacioni po arrijnë të mbajnë takime.

Daçiq e ka quajtur si abuzim edhe rastin e takimit të ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, me kryeministrin e Marokut, takim për të cilin u bë shumë zhurmë.

Në një reagim në ‘Twitter’, kryeministri i Marokut kishte shkruar se një person nga Kosova i ishte imponuar atij në tavolinë. Për këtë më pas kishte reaguar Pacolli i cili ka publikuar edhe bisedën me kryeministrin maroken në gjuhën arabe, e ku thotë se ishin pajtuar që të mbanin një takim pesëminutësh.

Daçiq në një bisedë për ‘First Tv’, ka thënë se nuk beson që këto lobime të palës kosovare do të kenë ndonjë rezultat. /GazetaExpress/