Pas deklaratave të ashpra të Ambasadës së ShBA të premten, ku iu bë vërejtje liderëve që të ndalin përpjekjet për shfuqizim e Gjykatës Speciale ka ardhur një reagim edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Thaçit, Haradinajt e Veselit u kërkohet që ti përmbahen zotimeve të tyre ndaj punës së Gjykatës. “Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës dhe Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ta ruajnë zotimin për punën e Dhomave të Specializuara dhe ta lënë të pandryshuar autoritetin dhe juridiksionin e gjykatës”, thuhet në mes tjerash në deklaratën e Depertamentit të Shtetit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të dëshpëruara nga përpjekjet e fundit të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, gjykatë e themeluar për të dëgjuar dyshimet për krime kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera serioze të bëra gjatë vitit 1998-2000, thuhet në një deklaratë të lëshuar sonte nga Depertamenti Amerikan i Shtetit.

“Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës ta ruajnë zotimin për punën e Dhomave të Specializuara dhe ta lënë të pandryshuar autoritetin dhe juridiksionin e gjykatës.

Siç tha Sekretari Rex Tillerson më 21 dhjetor, në Ballkan nuk ka mbaruar kërkesa për drejtësi dhe ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur drejtësinë për viktimat. Ne duartrokitem guximin moral te liderëve politikë të Kosovës kur e miratuan ligjin dhe e amendamentuan atë në Kushtetutë më 2015, kur edhe u themelua gjykata. Tani ne fuqishëm u bëjmë thirrje liderëve aktualë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës se Kosovës që të mos e prishin këtë arritje duke shfuqizuar gjykaten, tani apo në të ardhmen”.