Republika e Maqedonisë tashmë është një histori suksesi, sepse përparimi është i dukshëm, vendi është një faktor kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe vazhdon të punojë me angazhimin energjik të reformave, ardhmëria juaj është në NATO, tha ish-Kryeministri i Republikës së Turqisë dhe deputeti aktual Ahmet Davutoglu në takimin e sotëm me Kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, transmeton FLAKA.

Davutoglu përgëzoi Zaevin për marrjen e detyrës si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe për të, siç tha ai, “racionalitetin për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe të qëndrueshme të krizës politike”, që rezultoi me formimin e një qeverie të re reformatore, njoftoi shërbimi i shtypit i qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e angazhuar për një proces reformash që është i rëndësishëm për cilësinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, si dhe për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO. Ne po ndërtojmë politikat e besimit në vendin tonë, si dhe miqësinë me fqinjët tanë dhe ndërkombëtarisht dhe presim që me seriozitetin me të cilin kontribuojmë në proceset demokratike në Maqedoni dhe më gjerë, hapim dyert e Maqedonisë në BE dhe NATO”, tha Kryeministri Zaev.

Në takim u ra dakord që anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në NATO do të thotë stabilitet shtesë i shtetit dhe hapja e mundësive për investitorët, gjë që do të kontribuojë në rritjen e standardit të qytetarëve dhe rritjen e ekonomisë në Maqedoni.

U diskutua gjithashtu për rritjen e interesit të biznesmenëve turq për investime në Maqedoni.