Përfaqësuesit e partive kryesore politike në vend kanë diskutuar në televizion publik rreth asaj se nëse në seancën konstituive të 3 gushtit, deputetët do të arrijnë të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit.

Të gjitha zhvillimet e deritanishme lidhur me krijimin e numrave për ta ndërtuar Qeverinë e re të Kosovës, po cilësohen thjeshtë si spekulime.

Sipas zyrtarëve partiakë që diskutuan, më 3 gusht deputetët pasi ta japin betimin, do ta votojnë kryesinë e Kuvendit, e pastaj kandidatin për kryetar apo kryetare.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se koalicioni PAN është fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Besoj shumë se data e caktuar është datë e fitores së koalicioni PAN dhe vullnet qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e kanë përcaktuar se kush do të krijojë”, tha ajo.

Blerta Deliu nga PDK, tha se nuk do të ketë seancë tjetër për zgjedhje të kryetarit, pasi, sipas saj, gjithçka do të përfundojë më 3 gusht.