Gazetar: Emir Hamzai

Rasti i ‘Grupit të Kumanovës’, gjegjësisht vendimi, përveç se u vlerësua si jo i drejtë, dënim i masave më të rënda, në opinion u cilësua edhe si i montuar politikisht, gjë që në këtë rast, sipas opinionistëve, ka edhe gisht politika dhe politikanë të qeverisjes së Gruevskit. ”Proces i montuar me motive politike”, ”Në këtë rast kanë marrë pjesë pjesëtarë të organeve të pushtetit të mëhershëm”, ”Duhet të dihen të gjithë aktorët e përfshirë në këtë rast”, ”Dënimet e larta kanë qenë të shkruara që ditën kur janë arrestuar”, kështu vlerësojnë për portalin Fol opinionistët, Abdulla Memeti, eksperti për çështje sigurie, Selim Ibrahimi, gazetari i gazetës KOHA, Omer Xhaferi, i cili i ka ndjekur rregullisht seancat gjyqësore. Poashtu në lidhje me reagimin e plogësht të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe vlerësimin sesi e sheh nga jashtë ‘Grupin e Kumanovës’, është deklaruar edhe opinionisti nga Tirana, Kastriot Myftaraj.

Sipas profesorit Abdulla Mehmeti, procesi gjyqësor u zhvillua më tepër se dy vjet, pa i
sqaruar plotësisht rrethanat sesi u inskenua ky rast, ka zgjuar interesimin e shumë
faktorëve, duke shfaqur dilemën për një proces të montuar, në të cilin kanë qenë të
implikuar shumë faktorë të bredshëm dhe të jashtëm.

”Gjatë kësaj periudhe dyvjeçare, më së paku me këtë problem janë marrë partitë politike
të shqiptarëve në Maqedoni, të cilat duke përfituar nga ky rast, më tepër janë munduar të
nxjerrin përfitime në interes të politikave të veta ditore, sesa të ndihmojnë seriozisht
në zbardhjen e plotë të këtij rasti, i cili nga shumë mediume dhe ekspertë vendorë dhe
ndërkombëtar u cilësua si proces i montuar me motive politike.

Dënime tepër të rënda të shqiptuara ndaj pjesëtarëve të këtij grupi, me burg deri në 40
vjet dhe sidomos dënimet me burg të përjetshëm për disa nga pjesëtarët e këtij grupi,
sigurisht që do ta trazojnë ndëgjegjen e qytetarëve në Maqedoni, si edhe të opinionit
ndërkombëtar, meqë dënime të këtilla nuk janë shqiptuar nga gjykatat e ndonjë shteti
tjetër demokratik, kur bëhet fjalë për raste të këtilla, të pazbardhur plotësisht dhe sidomos nëse merren parasysh dëshmitë e shumta se në inskenimin e këtij rasti kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të organeve të pushtetit të mëhershëm në Maqedoni”, thekson Memeti.

Profesori Memeti, komunikatat e partive politike, gjegjësisht të BDI-së i shikon si
mundësi për të shërbyer për qetësimin e opinionit të bredshëm, nga frika të mos
shpërthejë ndonjë revoltë qytetare, që ky subjekt të mos vihet në tehun e kritikës së
hapur para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, si subjekt i cili ka qenë në pushtet
gjatë kohës kur është montuar ky proces, meqë po ky subjekt politik vazhdon të jetë pjesë
edhe e koalicionit të ri qeveritar, kur u shqiptuan këto dënime.

Gazetari i gazetës KOHA në Maqedoni, Omer Xhaferi, i cili i ka ndjekur në mënyrë aktive
seancat gjyqësore për ‘Grupin e Kumanovës’ thotë se ndodhi ajo që pritej, pasi që nga 9
dhe 10 maji i 2015-ës, në Kumanovë u zhvillua një luftë të cilin vetëm shërbimet sekrete
dhe një grup i vogël i shqiptarëve të armatosur e dinin epilogun.

”Nga ajo ditë e deri dje, mungesa e transparencës, mos respektimi i ligjeve dhe dënimet
drakonike që nuk i kemi parë që nga pavarësia e Maqedonisë, tregon se ky sistem gjyqësor
në Maqedoni nuk bëhet dot, sidomos kur bëhet fjalë për shqiptarët.

Të akuzosh me 20 vjet burg një berber, një student apo një bujk pa ua pranuar asnjë
dëshmitar mbrojtës, kjo do të thotë se vendimi për dënimet e larta ka qenë i shkruar që
ditën kur janë arrestuar. Kjo u dëshmua edhe nga të gjitha seancat gjyqësore, në fillim
të mbyllura, pastaj gjysmë të hapura, e deri te dënimi i avokatëve të cilët megjithatë
qëndruan profesionist në kërkesat dhe qëndrimet kundrejt Trupit gjyqësor. Aktgjykimi i
shpallur me 2 nëntor është tregues i mjaftueshëm se shqiptarët dhe jo vetëm, edhe për një
kohë të gjatë nuk do t’i besojnë sistemit të drejtësisë i cili gjithçka është, vetëm
drejtësi jo”, thekson Omer për Fol.

Selim Ibrahimi, ekspert i çështjeve të sigurisë, vlerëson për FOl se rasti i Kumanovës
kërkon rigjykim të ri, pra një proces të pavarur nga sistemi aktual i drejtësisë.

”Aktualisht nuk ka disponim nga pala maqedonase për ekspertizë ndërkombëtare dhe tashmë këtë e thanë edhe përfaqësues të LSDM-së. Si proces ka nisur në kohën e qeverisjes së OBRM-së dhe për fat të keq përfundoi në epokën reformatore ashtu siç e quajnë partnerët e koalicionit LSDM-BDI. Sipas njoftimeve, ka pasur shkelje të procedurave ligjore gjatë procesit duke lënë hapësirë për vendime të shpejta. Rasti i Kumanovës bartë shumë paqartësi dhe si i tillë ka mundësi të mos sqarohet për opinionin se kush ishin të gjitha aktorët e involvuar.

Nga aspekti i sigurisë paralajmërimet për protesta sigurisht se i japin një dinamikë
tjetër situatës së brendshme në Maqedoni. Fakti tjetër është se vendimi përfundimtar i
organeve gjyqësore maqedonase do të ndikojë në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe
Maqedonisë, pasi siç dihet protesta kundër vendimit u organizuan në Kosovë. Rreziku
potencial paraqet manipulimi i protestave nga aktorë të panjohur dhe këtu duhet parë sesi
organet maqedonase do të reagojnë ndaj protestuesëve.

Situata e re duhet menaxhuar për të mos lënë vend për devijim të procesit dhe qëllimit të
protestave. Ngjarjet e fundit treguan se Maqedonia e ka shumë vështirë të reformohet me
gjykata të pavarura dhe jo dogmatike. Qeveria e re duhet të sigurojë një ekspertizë të
jashtme me të gjitha pjesëmarrësit dhe të rishikohet vendimi dhe arsyet se pse ndodhi
Kumanova duke përfshirë edhe rastet tjera gjyqësore”, shton Ibrahimi.

Përveç reagimeve nga partitë politike në Maqedoni, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje
si dhe disa politikanë nga Kosova në mënyrë individuale. Ndryshe opinionisti nga Tirana, Kastriot Myftaraj, thotë se reagimi zyrtar nga Tirana dhe Prishtina përkitazi me ngjarjen e Kumanovës në maj 2015, duhet qortuar për atë se është dashur të ishte shumë më i ashpër ndaj ‘Grupit të Kumanovës’.

”Pikërisht në kohën kur Maqedonia u bë rrugëkalim për refugjatët sirianë të luftës që vinin në Europë, na shfaqet kjo e ashtuquajtura UÇK e re ne Kumanovë! A mund të mendohet se në një rrethanë të tillë SHBA dhe NATO do të donin një luftë të re në Maqedoni, çka do të kishte qenë veç në interes të Rusisë dhe të Serbisë? Ata që u vetparaqitën si UÇK e re në Kumanovë ishin provokatorë terroristë antishqiptarë, shqipfolës. Në Kosovë duhet të arrestohen edhe familjarët e tyre që po sillen si pjesë e një organizate terroriste duke bërë kërcënime dhe provokime. Është poshtërsi e madhe që duan t’ ia lenë fajin Ali Ahmetit për atë që ndodhi në Kumanovë. Ali Ahmeti ka shumë faje, por ata që shkuan kinse si luftëtarë të UÇK-së së re në Kumanovë, nuk shkuan në besë të Ali Ahmetit. Ata i kërkuan ndihmë Ali Ahmetit kur u shitën nga ata që i paguan për të nisur një luftë të re në Maqedoni dhe Ali Ahmeti ra në kurthin e këtij provokimi, duke dashur t’ i ndihmonte ata që së paku të mos vdisnin të gjithë.

Çfarë iu kërkojnë qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë familjarët e grupit terrorist
shqipfolës të Kumanovës? Nëse qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës dalin në mbrojtje të
terroristëve shqipfolës të Kumanovës kjo do të thotë që të marrin përgjegjësinë për aktin
e tyre. Këtë duan ata që i dërguan në Kumanovë terroristët e paguar. Tirana dhe Prishtina duhet të kenë reagim më të prerë duke i paralajmëruar familjarët e terroristëve se po veprojnë sipas agjendës së terroristëve.

Epilogu ishte akt-vendimi i gjyqit me dënimet përkatëse, që më duhet të them se ishte më
i butë se ç’ duhej për terroristët. Ata duhet të ishin dënuar më rëndë që askujt në
trojet shqiptare të mos i shkojë mendja të bëjë hajgare të tilla me armë. Shqiptarët nuk
guxojnë të nisin luftra pa mbështetjen e aleatëve tanë të mëdhenj perëndimorë. Gjyqi do të kishte qenë i montuar politikisht nëse ata që dolën para gjykatës nuk do të kishin qenë në Kumanovë si grup i armatosur që kishte qëllim të niste luftën e re në Maqedoni dhe që veproi sipas kësaj agjende. Por ata e pohojnë vetë këtë gjë. Në këto rrethana, gjyqi ishte reagim normal shtetëror ndaj ngjarjeve të Kumanovës”, vlerëson Myftaraj,

Në lidhje me këtë ngjarje, fajin, sipas Myftaraj, e kanë krerët e organizatës terroriste
antishqiptare të vetëparaqitur si UÇK e re, të cilët morën mbi vete turpin duke u bëre
argatë të dreqit që e dinë ata, por që e marrim me mend edhe ne. /Fol/