Shumë herë është premtuar nga autoritet lokale se kjo deponi shumë shpejt do të dislokohet dhe do të pastrohet, por këto premtime deri tani nuk u shndërruan në realitet.
Për zgjidhjen e këtij problemi ka folur edhe drejtori i NPK “Tetova”, i cili njëherit është arsyetuar se pas vërshimeve që ndodhën në Poroj të Tetovës është dashur që një pjesë e madhe e makinerive të angazhohet atje dhe për këtë arsye mbeturinat janë mbledhur përsëri në pikëshkarkimin në hyrje të Tetovës.
“Kjo pikëngarkim dhe shkarkim pritet që javën që vjen të lëshohet në përdorim, është sistem kryesisht i mbyllur, pa mbeturina në tokë, nga qyteti do të hidhen në hinkë dhe nga hinka në kontejner dhe do të barten në deponitë rajonale. Kjo sasi e grumbulluar aty është për shkak se firmat janë të angazhuara në pastrimin e lumit në fsh. Poroj. Sot ne bartim me katër kamionë mbeturinat nga mëngjesi dhe shpresoj nga ky moment ne do fillojmë me pastrimin e deponisë në hyrje të qytetit”,- deklaroi drejtori i NPK-së në Tetovë, Xhelal Ceka.
Deponia në hyrje të Tetovës, sipas drejtori Ceka, deri në mesin e muajt korrik pritet që të pastrohet. Sipas tij, ky problem mbi 20 vjeçar i qytetit të Tetovës është zgjidhur me ndërtimin e pikëngarkim-shkarkimin e mbyllur të mbeturinave.