Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski kërcënoi zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi se do përfundoj në burg lidhur me fshehjen dhe prapaskenat që sipas tij po fshihen nga opinioni.

“Marrëveshja me “Bechtel dhe Enka”, pse po mbahet fshehtë, a do të paguajë Maqedonia gjoba prej 53 milionë euro dhe a do të mbajë dikush përgjegjësi për korridoret 8 dhe 10d”, pyeti Stojanovski.

Ai përveç kryeministrit, iu drejtua edhe zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili është edhe koordinator për këtë marrëveshje. Sipas tij, për këtë dokument do të jetë i pari që do të shkojë në burg.

Stojanoski theksoi se Ligji i dorëzuar për shpronësim ka dy nene kontroverse, nenin 2 ku prona që i nënshtrohet shpronësimit menjëherë dorëzohet në posedim pa marrë formë të prerë vendimi dhe neni 3 ku barazohet statusi i objekteve të ligjshme dhe të ndërtuara pa leje.

“Nuk do të ketë mëshirë për kontrata të tilla dhe për këtë lloj ligji dhe do të ketë përgjegjësi për të gjithë ata që e kanë bërë këtë kontratë, të paguajnë gjoba me paratë e popullit për dikë që është i pasur”, tha ai.

Për këtë, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10d është një interes strategjik kombëtar për vendin, i cili do të lidhë qytetet me vendet përreth, një projekt me rëndësi të madhe për Maqedoninë.(INA)