Deputetja Demi-Murtezi e dëshpëruar me vendimin e Gjykatës Evropiane për simbolet fetare

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi, ka reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë të Bashkimit Evropian, i cili u jep të drejtë punëdhënësve t’ua ndalojnë punonjësve të tyre bartjen e simboleve politike, filozofike e fetare, përfshirë këtu bartjen e shamisë nga gratë myslimane.

E dëshpëruar nga ky vendim, Demi-Murtezi është munduar t’i mbajë leksion Gjykatës Evropiane, duke thënë se “një gjykatë me renome siç është gjykata e lartë e BE-së, në vend se të përcillte funksionimin e transparencës brenda institucioneve, preferon rregull të brendshëm për përcaktimin e mënyrës së veshjes”.

Ajo ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook se vendimi i Gjykatës Evropiane bie ndesh me “kartat e shumta ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, gjithashtu edhe me kushtetutën e çdo shteti laik ose sekular”.

Ky është shkrimi i plotë i saj në rrjetin social:

(Pa)Drejtësia e Evropës

Tentativat e institucioneve mbikqyrëse të formave të ndryshme, në vazhdimësi po rrënojnë demokracinë brenda institucioneve. Para pak ditësh gjykata e lartë e BE-së dha leje që punëdhënësit kanë të drejt t’i largojnë nga puna vajzat dhe gratë që mbajnë shami. Kjo duke u arsyetuar dhe duke u dhënë ide institucioneve, që të kenë rregullat e tyre të brendshme, në këtë rast për “veshje neutrale”. Një gjykatë me renome siç është gjykata e lartë e BE-së, në vend se të përcillte funksionimin e transparencës brenda institucioneve, preferon rregull të brendshëm për përcaktimin e mënyrës së veshjes.

Duke rënë kështu ndesh më kartat e shumta ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, gjithashtu edhe me keshtetutën e çdo shteti laik ose sekular, kjo cështje zgjoi shumë kurreshtje dhe për këtë u deklaruan të shqetësuar Amnesty International, kryeministri i Britanisë, përkundër shumë vendeve e institucioneve tjera që nuk reaguan fare.

Pavarësisht bindjeve dhe manifestimit publik të të gjithë qytetarëve nga religjione të ndryshme, mohimi i kësaj të drejte shkel rënd të drejtat e njeriut. Mohimi i punësimit nënkupton mohimin e vetmbajtjes dhe pavarësisë ekonomike, varësinë nga familja dhe shoqëria që vazhdimisht po tregohet e padrejtë.