Gjykimi për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në kuvend vazhdon më 2 mars, pasi sot u dëgjuan më shumë dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e ish ministrit të transportit, Mile Janakievski. Dëshmitarët hodhën poshtë mundësinë e organizimit të protestave “Për Maqedoni të Përbashkët” para kuvendit, si dhe komunikimet me Mile Janakievskin dhe Spiro Ristovskin. U dëgjuan anëtarë të atëhershëm të organeve komunale të VMRO–DPMNE-së të cilët thanë se partia s’ka marrë kurrfarë vendimi në lidhje me protestat.

I pari u dëgjua dëshmitari, Vlladimir Nellovski, i cili ditën e dhunës në Kuvend, pas orarit të punës, ka qenë në një restorant dhe rreth orës 19, pasi kanë parë se çfarë ka ndodhur, iu janë drejtuar Kuvendit, ku kanë qëndruar deri në orën 21. Më pas kanë vajtur në selinë e VMRO–DPMNE-së në mbledhjen e thirrur të komitetit qendror, ku ishin të pranishëm Spiro Ristovski, Mile Janakievski, Zoran Stavreski dhe shumë njerëz të tjerë. Mbledhja sipas dëshmitarit ka zgjatur deri në orët e mëngjesit dhe me të përfunduar ai ka shkuar në shtëpi. Në pjesën e parë u dëgjua edhe ish kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski, i cili tha se në periudhën 2016-2017 nuk ka pasur funksion partiak dhe se ka qenë vetëm anëtar i Komitetit Qendror të VMRO–DPMNE–së. Derkovski gjithashtu u distancua nga dhuna e Kuvendit.

“Edhe pse kam qenë anëtar i më shumë grupeve në viber, nuk kam qenë anëtar i asnjë grupi të atillë që ka lidhje me ngjarjet në Kuvend dhe s’kam komunikuar Mile Janakievskin dhe Spiro Ristovskin për protestat.”,- ka thënë Derkovski.

Në seancën e radhës të procesit gjyqësor për dhunën në kuvend do të prezantohen dëshmi materiale. Ndërkaq, në seancën e 5 marsit janë thirrur më shumë dëshmitarë në mbrojtje të ish ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakiveski. Në mesin e dëshmitarëve do të dëshmojë edhe ish kryetari i komunës së Butelit, Petre Llatinovski./